Statuti i PD-se shkelet neni 40 qe kerkon mbledhjen e Keshillit Kombetar
“Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga kryesia e partisë”. Kështu thuhet në nenin 40, pika 4 e statutit të Partisë Demokratike. Në fakt, selia blu ka mbushur një vit pa mbledhur kryesinë e saj, nisur nga fakti se ky forum i lartë i demokratëve ka 12 muaj me mandat të skaduar. Por, përveç faktit se të gjithë anëtarët aktualë të kryesisë, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët e partisë më të madhe në mazhorancë janë me mandat të skaduar, demokratët kanë shkelur në disa pika, edhe statutin e tyre. Kështu, nga statuti i ri i miratuar nga Kuvendi i Partisë Demokratike një vit më parë, janë shkelur ato nene që kanë të bëjnë me mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Kryesisë së Partisë dhe atë të Komisionit Qendror të Apelimit. Moszgjidhja e kryesisë së re ka ardhur si rezultat i mosmbledhjes që prej një viti të Këshillit Kombëtar të PD-së, forum ky prej më shumë se 100 anëtarësh që u rinovua në dhjetorin e vitit të shkuar. Por, ndonëse një nga forumet më të rëndësishme të PD-së nuk është zgjedhur dhe nuk është mbledhur për një vit me radhë, të paktë janë zërat brenda demokratëve të cilët e kanë konsideruar si problematike këtë situatë. Në pjesën më të madhe, deputetët e PD-së nuk pranojnë të prononcohen për faktin se ky organ i rëndësishëm partiak nuk është funksional, duke e konsideruar këtë një çështje të Kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të PD-së, Berishës. Por, kritikë ndaj qëndrimit të kreut të PD-së, Berisha ndaj këtij forumi të rëndësishëm, kanë qenë ata persona të cilët sot nuk janë pjesë aktive e PD-së. Kështu, ish-kryetari i kësaj partie, Eduard Selami, anëtari i kryesisë, Omer Stringa dhe po kështu, ish-ministri Besnik Mustafaj janë shprehur se mosmbledhja e këtij institucioni të rëndësishëm është një shenjë e mungesës së demokracisë së brendshme në PD. Por nga ana tjetër, PD-ja nuk ka zgjedhur as sekretarët e saj qendror dhe nënkryetarët e partisë. Këshilli Kombëtar i zgjedhur dhe i mbledhur dhjetorin e kaluar, ka zgjedhur vetëm kryetarin e partisë, Kryeministrin Berisha për të qenë në krye të kësaj partie edhe me një mandat tjetër katërvjeçar, dhe prej asaj kohe nuk është mbledhur më. Sipas statutit të PD-së, i cili gjithashtu u miratua i rinovuar dhjetorin e shkuar, do të jetë kryetari i partisë, Sali Berisha personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtarë listën me 38 kandidatura, mes të cilave, anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së re të demokratëve. Po kështu, sipas statusit, të drejtën për t’i bërë propozimet e ka edhe vetë ky këshill, kryesia e PD-së, kryesitë e degëve, dhe jo më pak se 15% e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë degë të PD-së. Përveç çështjeve teknike të mënyrës së përcaktimit të kandidaturave, demokratët bëjnë gjithashtu të ditur se favoritë për të qenë pjesë e kryesisë janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të Këshillit Kombëtar. Por, shtyrja e vazhdueshme e zgjedhjes së emrave të rinj të këtij forumi të rëndësishëm e ka bërë edhe më të vështirë parashikimin se kush nga përfaqësuesit e PD-së do të jenë pjesë e tij. Kanë qenë disa figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, që kanë kërkuar nga kjo forcë politike të mbledhë strukturat në mënyrë që të funksionojë demokracia e brendshme. Këtë e kanë deklaruar si ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, deputeti Gazmend Oketa, ish-deputeti Aleksandër Biberaj dhe anëtari i kryesisë, Omer Stringa.