Kushtetuesja pezullon ligjin e lustracionit
Gjykata Kushtetuese vendosi dje të pezullojë zbatimin e ligjit për lustracionin, derisa kjo gjykatë të marrë vendim për ligjin.
“Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë shqyrtoi më datë 16.2.2009 kërkesat e: Një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Shoqatës të Prokurorëve, për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, duke çmuar se, zbatimi i ligjit objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, - tha zëdhënësja e kësaj gjykate.
Gjykata Kushtetuese do i kërkojë mendim dhe Komisionit të Venecias. “Gjithashtu, në mbledhjen e gjyqtarëve u vendos që t’i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion “Amicus curiae” për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar”, - vijoi zëdhënësja e Kushtetueses.
Kështu, Gjykata Kushtetuese vendosi në përputhje dhe me kërkesat e ndërkombëtarëve. Këshilli i Evropës kishte parashtruar një zgjidhje të tillë për çështjen e lustracionit.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas presionit të mazhorancës për të mos e gjykuar këtë çështje në kushtet e konfliktit të interesit.
Komisioni i Venecias pritet të japë një gjykim, ndërsa ekspertë ndërkombëtarë të OSBE dhe KiE janë të gatshëm që të ndihmojnë Shqipërinë me asistencë ligjore për ligjin.
Ligji për lustracionin u miratua me votat e mazhorancës, por pa votat e opozitës, e cila deklaroi se do e çojë ligjin në Kushtetuese. Bashkë me të, për ligjin u ankuan dhe shoqatat e prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Para miratimit të ligjit, ndërkombëtarët bënë presion që ai të mos kalojë. Këto zëra u shtuan shumë pas miratimit të tij. Presidenca e BE reagoi dy herë me anë të deklaratave të posaçme për këtë çështje duke i kërkuar qeverisë që të reflektojë.
Sipas tyre, integrimi i vendit është në rrezik.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ndër zërat e parë që kërkuan që ligji të ishte brenda standardeve kushtetuese. Vetë Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ia kërkoi këtë gjë kryeministrit, Sali Berisha.
Ky i fundit pranoi se do zbatojë të gjitha vendimet ligjore, duke u zmbrapsur në qëndrimin e tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur për shqyrtim kërkesat e një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve me objekt: “Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, si dhe pezullimin e zbatimit të ligjit deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”
Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesat e paraqitura nga kërkuesit për pezullimin e zbatimit të ligjit të sipërcituar, vëren:
Sipas nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, kërkesa për pezullimin e ligjit mund të shqyrtohet paraprakisht nga mbledhja e gjyqtarëve ose seanca plenare në rastet kur “...zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve.”
Kërkuesit kanë pretenduar se dispozitat e ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” cenojnë rëndë parimet e kushtetutshmërisë (nenet 4, 81/2, 116, 124, 127, 128 të Kushtetutës), të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve (neni 7), të funksionimit të shtetit të së drejtës (preambula e Kushtetutës dhe fryma e saj), të pavarësisë së gjyqësorit dhe të patundshmërisë së gjyqtarit (nenet 135, 137, 138, 139, 140, 145, 147), si edhe disa nga të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese, si p.sh., të drejtën për punë (neni 49), të drejtën për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor (neni 3), të drejtën për t’u prezumuar i pafajshëm (neni 30), të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për të njëjtin veprim (neni 34) dhe të drejtën për t’u zgjedhur (neni 45).
Krahas pretendimeve për papajtueshmërinë me Kushtetutën të dispozitave të ligjit të sipërcituar, kërkuesit kanë parashtruar dhe argumente ligjore për pasojat që mund të sjell për interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve zbatimi i menjëhershëm i ligjit dhe kanë kërkuar pezullimin e ligjit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas kërkuesve, nga zbatimi i menjëhershëm i ligjit interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm; krijohen dukshëm mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese dhe një autoriteti të krijuar me ligj të zakonshëm; cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese të presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të figurave; krijohet vakum institucional deri në bllokim të veprimtarisë kushtetuese të organit shtetëror; përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit, të cilët kanë status kushtetues.
Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shkaqet e parashtruara nga kërkuesit lidhur me kërkesën për pezullimin e ligjit, në kuptim të nenit 45 të ligjit organik të saj, i vlerëson si shkaqe të përligjura për të argumentuar parandalimin e pasojave që mund t’i vijnë funksionimit normal të shtetit të së drejtës si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve.
Për këtë arsye:
Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, me shumicë votash, vendosi:
- Të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.
- Vendimi i njoftohet kërkuesit, Kuvendit të Shqipërisë, subjekteve të interesuara, si dhe bëhet publikimi i tij.
Berisha: Do zbatoj vendimin e Kushtetueses
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se do zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse është marrë në konflikt të hapur interesi.
“Me këtë vendim, që mund të quhet thjesht standardi i Mark Abdisë, Gjykata Kushtetuese dhunoi një parim universal të etikës të gjyqësorit, që është parimi i integritetit dhe që ka si kusht themelor përjashtimin nga konflikti i interesit dhe nga dukuria sikur je në konflikt interesi, ajo theu ligjin e saj organik që nuk i lejon gjykatësit të vendosin në konflikt interesi. Pra, nuk është çështja se ky vendim do të mund të pengojë dënimin e krimeve kundër njerëzimit të sistemi komunist, sepse në mënyrë absolute ky është një proces jetik për këtë shoqëri dhe nuk do të mund të pengohet, por çështja është se përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese i dha një goditje shumë të rëndë parimësisë, kodit etik të gjyqtarit dhe të gjyqësorit.
Me institucionet ndërkombëtare diskutuam dhe ramë dakord që të gjejmë modalitetet, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese, jashtë konfliktit të interesit, të mund të shprehej. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që institucionet të ushtrojnë të gjitha funksionet e tyre, por standardi i vendosur sot është unikal”, - tha Berisha.
Megjithatë, ai tha se do iu bindet ndërkombëtarëve për të ndryshuar ligjin duke marrë ekspertizën e tij.
“Zotimi ynë para shqiptarëve, por edhe komunitetit ndërkombëtar, ka qenë se ky do të jetë një proces që do të bazohet në rregullat e shtetit ligjor, sepse vetëm në këtë mënyrë ky bëhet një proces i dobishëm dhe vetëm në këtë mënyrë ai realizon qëllimin e tij.
Ndaj, duke denoncuar publikisht vendimin në konflikt të plotë interesi të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që ne jemi të detyruar që, për shkak të primeve të shtetit ligjor, vendimin ta marrim parasysh. Unë e kuptoj që ky është një mesazh tmerrësisht i hidhur që marrin sot qindra e mijëra familje shqiptare që përjetuan kalvarin më të egër, inkuizicionin e luftës së klasave. Por, më lejoni të zotohem para tyre se këtë betejë do ta vazhdojmë pa ndërprerje, gjithnjë në përputhje më rregullat e shtetit ligjor. Ndaj unë rashë dakord me përfaqësuesit më të lartë të OSBE, që ne me ekspertë të shqyrtonim modalitetet, në mënyrë që ligji le të gjykohet, pasi ne për këtë nuk kemi asnjë kundërshtim, por ai të gjykohet jashtë konfliktit të interesit. Sepse ka disa variante gjykatash, diku ato funksionojnë si një trup unik, diku tjetër funksionojnë edhe të fragmentuara. Mirëpo në këtë rast ata mbrojtën karriget e tyre”, - u shpreh kryeministri.
Sipas tij, pas vendimit të Kushtetueses qëndron Edi Rama. “Lufta kundër krimeve të njerëzimit të diktaturës komuniste është një proces i vështirë, ajo ka avoketërit e vet të lidhur kokë e këmbë me të shkuarën, tek Edi Rama dhe Partia Socialiste, e cila edhe 18 vjet pas krijimit të saj dëshmoi se ka mbetur ajo që ka qenë, një parti e dosjeve, e krimeve dhe e urrejtjes klasore. Ky njeri do të vinte në vitin ‘90 në mitingun tonë, pas bibliotekës së universitetit dhe do të më thoshte se “ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur.” E pashë drejt e në sy e i thashë: kë duhet të varim? “Ata, - më tha, - komitetin Qendror dhe Byronë Politike.” Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike. Absolutisht ai ishte me idetë e Enverit për Bari Omarin. Por ai u transformua tashmë në një avokat të tmerrshëm të krimeve të familjes së tij, pinjoll i arkivave të dosjeve”, - tha Berisha.
PS: Gjykata foli, Berisha le të heshtë
Socialistët i kanë kërkuar dje kryeministrit, Sali Berisha, të heshtë pas vendimit që dha Gjykata Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit të lustracionit.
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se PS është gati që të ofrojë një projekt kushtetues për këtë çështje. “Çështja e ditës është ajo e Gjykatës Kushtetuese. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet koherente në qëndrimin e saj për sa i takon ligjit të lustracionit dhe ky ka qenë motivi që ne kemi kundërshtuar këtë ligj, pra antikushtetueshmëria. Ne mbetemi koherentë në respektimin e vendimeve të institucioneve që u ngarkon ligji, pra të vendimeve të institucioneve kushtetuese.
Me këtë rast, zoti Berisha duhet të heshtë sot. Duhet të heshtë dhe të heqë dorë nga përbaltja e institucioneve kushtetuese, sepse shteti ligjor nuk mund të ndërtohet duke sulmuar institucionet e shtetit ligjor. Dua të përsëris edhe njëherë faktin që e kam deklaruar edhe dy ditë më parë, ne si Parti Socialiste mbetemi koherentë në faktin që mbetemi të gatshëm për të kontribuar për një projekt kushtetues, me standarde dhe që konsideron të gjitha sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe që vë në themele parimet e kriteret e ligjit të lustracionit”, - tha Leskaj.