E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova pas një viti

Nga Financial Times

Kosova feston e sigurt përvjetorin e parë të pavarësisë sot, me vetëdijen se parashikimet më të këqija nuk u realizuan. Pavarësisht tensioneve që ndajnë 2 milionë shqiptarët dhe 120 mijë serbët e saj, vitin e kaluar nuk ka patur dhunë serioze apo ndonjë valë refugjatësh. Ndërsa Serbia nuk ka bërë asnjë lëshim në pretendimin e saj për sovranitet mbi Kosovën, qeveria liberale e Beogradit, e cila mori pushtetin vitin e kaluar, ka shmangur nxitjen e flakëve të sherrit, nga frika se dëmton shpresat e saj për t’u anëtarësuar në BE. Por Kosova ka rrugë të gjatë për të garantuar të ardhmen. Megjithëse BE ka vendosur një ekip ligji dhe drejtësie për të punuar përkrah qeverisë së Kosovës dhe me zyrën ekzistuese të OKB, vetëm 22 vende e kanë njohur Kosovën nga 27 vendet anëtare të BE. Në gjithë botën e kanë njohur vetëm 54 vende, shumë më pak se numri i nevojshëm për të marrë ndonjë iniciativë për njohje nga OKB. Këshilli i Sigurimit mbetet i ndarë, SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë përkrahin pavarësinë, ndërsa Rusia përkrah Serbinë. Kjo i lë autoritetet e Kosovës të luftojnë me sfidat urgjente ekonomike, përfshi papunësinë e lartë, infrastrukturën e dobët dhe korrupsionin e përhapur. Në teori, përpjekjet e Kosovës për të riparuar marrëdhëniet me Moskën mund të përmirësojnë klimën për Kosovën. Por me axhendën globale të dominuar nga kriza ekonomike dhe Lindja e Mesme do të ishte e nxituar të shpresohej për ndonjë zgjedhje të shpejtë. BE duhet të fokusohet në progres hap pas hapi. Në frontin diplomatik, duhet të sigurohet pranimi i debatuar i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në terren në Kosovë, një prioritet duhet të forcojë autoritetin e misionit të BE. Një tjetër prioritet duhet të jetë energjia, uji dhe rrugët që do të përmirësojë standardet e jetesës. Vetëm përparimet ekonomike nuk do t’i sjellin Kosovës stabilitet politik, por ato do të ndihmojnë kur të sigurohet ky stabilitet, ndoshta në marrëveshjen e të ardhmes, me të cilën Kosova dhe Serbia do të anëtarësohen në BE. Brukseli ka shumë për të bërë, derisa sa ta përfshijë të gjithë ish-Jugosllavinë në BE. Ashtu si Kosova, Bosnja me tensionet e saj të brendshme etnike ka nevojë për vëmendje. Kroacia ka një mosmarrëveshje më të gjerë me Slloveninë, Maqedonia mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë dhe Serbia po lëviz shumë ngadalë për nxjerrjen e kriminelëve të luftës para drejtësisë. Me kaq shumë probleme në axhendën globale, lënia e Ballkanit perëndimor jashtë vëmendjes është tunduese. Por BE nuk duhet ta bëjë këtë. Pa stabilitet në rajon nuk mund të ketë stabilitet të kompletuar në Evropë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›