E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliçi i tregon Nënë Jovankës bisedën në prokurori

Nga Antena brenda familjes

Damiri doli dje nga Prokuroria e Tiranës dhe hipi direkt në makinë. I stresuar nga gjurmimi i gazetarëve, pasi u rehatua, hapi telefonin dhe i ra numrit të nënë Jovankës, që ishte tmerruar nga ardhja e tij në Tiranë. “Është dhe pavarësia e Kosovës nesër, - i kishte thënë, - dhe s’dihet ç’të bëjnë, të vrasin, se e kanë një damar të keq ata shqiptarët.”

- Nënë, mos u mërzit. Dola, shkoi shumë mirë, - i tha. - Unë po kthehem prapë. U konsultova dhe me Argitën, dhe me kryeministrin dhe më dhanë të drejtë. “Është më mirë të ikësh, - thanë, - se të kap shtypi dhe s’dihet si t’i shtrembërojnë fjalët.” Kryeministri deshi të më çonte në parlament, po sot ishte debat për dosjet dhe s’doja të vija. Aty më pritën mirë. Të dy avokatët dolën që në aeroport dhe më izoluan nga gazetarët. Kishin bërë punë të mirë.

Në prokurori ishin dy djem të sjellshëm, por njëri m’u duk se ishte pak tendencioz. Që të të heq merakun, në fillim më identifikuan.

Prokurori lexoi të dhënat.

Zoti Damir Fazlliç, qytetar i Bosnjë-Hercegovinës, djali i Jovanka Stanishiç dhe Shaqir Fazlliç, i martuar me Amra Fazlliç, i datëlindjes 26 shtator 1975, mbajtës i pasaportës së rregullt me nr. 01752910, e lëshuar në datën 7 maj 2007 në Mbretërinë e Bashkuar…..

- Jeni dakord? - më pyetën.

- Dakord, - u thashë.

Një nga prokurorët qeshi.

- Të të bëj një pyetje jashtë teme, - tha. - Vërtet Jovanka Stanishiç ta quajnë nënën?

- Po, - u thashë unë.

Ata ja futën të qeshurës të dy. Qeshën dhe avokatët e mi. Njëri, ai më i shkathëti, më shkeli syrin. “Mos u mërzit, - tha, - se ashtu është një muhabet, ta tregoj unë pastaj.” Ngela pak keq të them të drejtën dhe nuk vazhdoja dot më hetimin. Pastaj avokati mori leje nga prokurorët dhe ma shpjegoi. Më tha që emri yt është bërë shumë i famshëm këtu, se i boton vazhdimisht letrat e tua ai maskarai te gazeta “TemA”. Edhe pse Argita më premtoi se viti i ri nuk e gjen të gjallë, ai prapë gjallë është. Edhe pse ia kanë mbyllur shtypshkronjën e gazetën, ia kanë djegur makinën, prapë shkruan. “Nuk di ç’t’i bëjmë, - më tha Argita. - Ka dalë jashtë kontrollit. Ky maskarai e ka bërë popullor emrin tënd, madje dhe mbiemrin.” Tani u kujtova, pse ai miku im i ngushtë, Fevziu, më pyeti: “ǒe ka nëna jote Stanishiçin, që ka qenë shef i shërbimit sekret në Serbi?” Unë i rashë shkurt, i thashë s’e ka gjë, po harrova mbiemrin. Këta i shikojnë shumë këto gjëra këtu. Nejse, pas këtij incidenti nuk pati gjë tjetër. Hetimi shkoi mirë. Ata djemtë më pyetën për gjithçka.

Më pyetën në fillim për kompaninë “Crown Acquisitions.” U thashë që s’kam bërë ndonjë punë me të, se kisha administrator kunatin e Lul Bashës dhe ai s’bënte asnjë punë, bridhte gjithë ditën të gjuante femra dhe nuk e kishte mendjen te puna. Ky është shkaku dhe që nuk i dhashë rrogën, u thashë. Pastaj u mërzit Lul Basha për këtë dhe më foli rëndë. Madje më prishi dhe një punë të mirë te rruga. Atëherë u detyrova, i fala një fuoristradë që e kisha blerë për firmën në Tiranë. U thashë që kompaninë ia kam shitur kompanisë qipriote “Altaria Research LTD”. “Po kjo, e kujt është?” - më thanë. Imja dhe e Lazareviçit, u thashë. “ǒështë ky Lazareviçi?” - më thanë. U detyrova t’ua shpjegoj përciptas. “Jo, jo, e duam saktë”, - më thanë. Saktë u thashë, ua them unë ………………….

- Qenka i rrezikshëm, - më thanë.

- Jo, aspak, u thashë. Ka qenë mik i Sheshelit, po ajo kohë ishte. Është njësoj sikur ju të dënoni tani ata që kanë kryer krime në komunizëm. Nuk duhen dënuar, se ajo kohë ishte. E kisha përgatitur kastile këtë gjë, se më kishte thënë Argita që prokurorët janë të gjithë komunistë. Po një nga ata më kundërshtoi. Më tha: “Krimet duhen dënuar, pavarësisht kur janë kryer. Nejse, - tha, - vazhdojmë me Lazareviçin. Ju jeni ortak me këtë?” - tha. Po, i thashë. “Çfarë kompanie keni tjetër?” Kemi “Rudnap Energji”, i thashë. Me këtë i kemi shitur energji Shqipërisë. Po jo shumë. Nja 130 milionë euro.

- Kryeministri ka thënë që ti s’ke marrë asnjë lek nga fondet publike, - më tha prokurori.

- Pse e ngatërroni kryeministrin në këtë punë? - i thashë. Ai vërtet s’di gjë. Unë kam avokate vajzën, jo kryeministrin. Ai ka punët e veta. E mbrojta, se e meriton. Pastaj shkoi pyetja larg. Filluan të më pyesnin për “Poligraf Investment”. U thashë që e kam prapë me Lazareviçin. Aty më kapën, se bashkë me kompaninë sllovene që përfaqëson atë kompaninë ruse, “Lukoil”, të naftës, ne kemi hapur filial në Shqipëri. Deri aty s’më kishte shkuar mendja që kishin shkuar. Me sa duket këta amerikanët këtu u kanë dhënë faktet. Se tërbohen këta po hynë rusët. Më pyetën disa herë dhe për këtë kompani. U thashë, unë aksioner i thjeshtë jam. Për të qenë i sigurt, u thashë në të gjithë kompanitë kemi studion e Argitës avokate. Dhe rusët ajo i përfaqëson, dhe sllovenët, dhe malazezët, dhe serbët, të gjithë që unë kam partnerë, ajo i përfaqëson. S’kam parë avokate më të zonjën, u thashë. Dhe ata u çuditën, në fakt. “E zonja është, - më thanë. - Gjithë sllavët i paska sjellë në Shqipëri.” Jemi një gjak, i thashë. Po e pashë që s’u pëlqeu shumë dhe nuk e zgjata. Ja, për këto më pyetën. M’u dukën pak, por në fakt ishin gjithë ato, se i zunë gjithë firmat me radhë, në naftë, në energji, në toka. Në fund u kujtua ai prokurori tjetër. Më tha: “Po ky TEC-i i italianëve në tokën që ke blerë ti do ndërtohet?” Të pyes avokatin, thashë.

- Unë s’di gjë, - tha ky avokati që kisha me vete.

- Jo ty, jo, ty të kam kot, i thashë. Do pyes Argitën. E pyeta. “Po, - më tha, - por mos u trego atyre. Le ta gjejnë vetë.” Nuk ua tregova. Gjejeni vetë, u thashë. “Mirë, do ta gjejmë”, - më thanë. Tjetër, çfarë të them unë. Të gjitha i kishin gjetur. Po ato biznese legale janë. Asnjë shkelje s’ka. Argita më tha: “Të marrin të keqen.” I vetmi problem është se më quajnë sekser të kryeministrit. Madje e kanë kuptuar se dhe ajo “Mercuria” që është nga Qipro në ARMO, është e imja, d.m.th., e Argitës. U thashë, as mos t’u shkojë mendja se e gjeni dot ndonjëherë. Fola dhe me atë Taçin, me këtë që po merret me naftë. I thashë për naftën ruse që kemi dhe më tha që “do bëjmë pará mirë këtë vit”. S’di ç’të them tjetër. Mirë kalova. Tani po hipi në avion, se kam hall mos më ndalin prapë.

Të përqafoj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›