E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojet e Ksamilit denoncojnë “antikorrupsionin” e Berishës

Nga Andi Ademi, MAPO

Trojet turistike në gadishullin e Ksamilit, nga kanali i Çukës deri në Butrint, janë grabitur tërësisht duke spekuluar me vendndodhjen e pronësisë së subjekteve. Gadishulli, i cili ka pas qenë i ndarë në 96 parcela, ka qenë pronë e subjekteve të ndryshme si kullotë, e cila identifikohej vetëm në formë përpjesëtimore, p.sh., 6/96 apo 8/96 dhe me këtë fakt është spekuluar duke zhvendosur pronësinë buzë detit.

Historia që po tregojmë më poshtë nuk është më skandalozja dhe as më e skajshmja, sepse skandali e ka humbur domethënien e tij si term, kur flitet për mënyrën se si janë trajtuar nga shteti privatët dhe pronarët e vërtetë apo falsë të të gjitha ngjyrave.

Në këtë shkrim fjala është për njërën prej pjesëve më të bukura të bregdetit shqiptar, atë që shkon nga kanali i Çukës në të dalë të Sarandës e deri te kanali i njohur i Vivarit në dyert e Butrintit të lashtë. Gjithsej 1300 hektarë kullota të shtrira në formë rripi, që kufizohen nga të dyja anët prej liqenit të Butrintit dhe detit Jon. Një pozicion gjeografik që e ka bërë këtë pjesë të bregdetit njërën prej më të pëlqyerave, por edhe njërën prej atyre trojeve turistike, ku babëzia e disave nuk ka marrë parasysh as ligjin, as shtetin dhe as të drejtën e tjetrit. Sipërfaqja në fjalë figuron si e tillë, pra si një pronë kolektive, e ndarë mes banorëve lokalë dhe shtetit të asaj kohe, që në fillim të shekullit të 20. Në një dëshmi të kadastrës së vitit 1926, të cilën po e botojmë, figuron e gjithë lista e pronarëve të kohës, të cilët nuk e kishin ndarë në troje dhe sinorë këtë sipërfaqe, por e përdornin të gjithën me të njëjtat të drejta, për të kullotur bagëtitë e tyre. Familje nga Gjirokastra apo minoritarë kanë ushqyer me dekada të tëra delet dhe dhitë në atë zonë, pa e ditur se dikur, pas shumë kohësh, kjo copë tokë do të vlente flori. Sidomos, kur flitet për vijën bregdetare, e cila sot është pronë shtetërore e mbrojtur me ligj. Por dëshmia e vitit 1926 dhe të gjitha aktet e asaj kohe kanë një gabim të madh brenda: atë të mënyrës së matjes së sipërfaqeve të tokës, megjithëse të gjitha matjet e sotme të kadastrës dhe të shërbimit pyjor kanë njoftuar se zona në fjalë nuk i kalon të 1300 hektarët, sipas matjeve të vjetra kjo sipërfaqe rezulton të jetë plot 3200 hektarë.

Kjo diferencë aspak e vogël ka lejuar njërin prej ish-pronarëve të familjes Çoçoli që të marrë me anë të një vendimi të habitshëm të Zyrës rajonale Vlorë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të drejtën e rikthimit të 97 hektarëve tokë, e cila shtrihet në të gjithë linjën bregdetare, duke nisur nga manastiri ortodoks, e deri pranë fshatit Ksamil. Pra, pjesa më e mirë e të gjithë sipërfaqes prej kanalit të Çukës e deri në kanalin e Vivarit.

Duhet sqaruar së pari se, në kushtet kur kjo pronë kaq e madhe nuk kishte ndarje të sakta mes pronarëve të vjetër, një vendim i tillë mund të merrej vetëm me praninë e palëve të tjera të interesuara dhe jo vetëm në bazë të kërkesës së njërës prej tyre. Pra, të vetë familjeve të vjetra që pretendojnë të drejtën mbi atë pronë. Ky subjekt, pra Çoçoli, ka mundur të marrë nga Zyra e Kthimit të Pronave të Vlorës një sasi të tillë toke dhe në një pozicion të tillë, që i ka penalizuar hapur të gjitha subjektet e tjera pronësore që kanë të drejtë mbi pronën. Një arbitraritet i hapur, me firmën dhe vulën e një institucioni shtetëror.

Por nuk mbaron këtu. Problemi është se kjo familje ka marrë në pronësi të saj, jo vetëm linjën bregdetare, por edhe një sasi toke shumë më të madhe se sa do t’i takonte në bazë të sipërfaqes reale të pronës. Burimet e gazetës vërtetojnë, siç e provojnë edhe shkresat që po botojmë, se zyrat rajonale të Sarandës, si Drejtoria e Shërbimit Pyjor, kanë provuar se sipërfaqja reale e kësaj prone nuk është 3200 hektarë, por 1300 hektarë. Pra, familjes që ka marrë pronën, jo vetëm i është lejuar të zgjedhë sipërfaqen më të mirë, duke penalizuar gjithë të tjerët, por i janë dhënë rreth 57 hektarë më shumë se sa i takonte. Një llogari e thjeshtë që del nga sipërfaqja që kjo familje zotëronte në dokumentet e viti 1926, nxjerr se ajo ka në pronësi 3/96 e sipërfaqes. Por jo të sipërfaqes fiktive 3200 hektarë, sa është kryer llogaria aktuale, por të asaj faktike prej 1300 hektarësh. Kjo lojë me llogaritjen e sipërfaqes dhe fakti që këtij subjekti i është dhënë praktikisht vija më e mirë bregdetare në atë zonë, ka detyruar kryeregjistruesin, Arben Qirjako, në Tiranë, që të urdhërojë më 3 prill 2008 bllokimin e të gjitha procedurave të rikthimit të pronave në zonën në fjalë. Një urdhër që ende nuk e ka davaritur tymin dhe mjegullën që mbizotëron rreth pronësisë së asaj pjese të lakmueshme bregdeti që bashkon Sarandën me Ksamilin.

Duhet vënë fort në dukje, siç u tha edhe më sipër, se vija bregdetare mbrohet me ligj dhe nuk mund të preket. Rasti i mësipërm është flagrant edhe në këtë aspekt, për më tepër kur bëhet fjalë për një perlë të vërtetë të natyrës dhe turizmit që është ndarë me defter Turqie dhe me kritere totalisht abuzive dhe të pavërteta. Të marrësh vijën bregdetare me dhunë, është një gjest ekstrem, jo vetëm në rrafshin personal, por njëherazi edhe një tregues i qartë i mungesës dhe i kapjes së shtetit nga mafia e tokave dhe nga tarafet e ryshfetet.

E gjithë kjo histori është bërë e njohur pranë disa zyrtarëve të lartë të shtetit. Një ministër i rëndësishëm i kabinetit Berisha mësohet të ketë urdhëruar hetimin dhe zgjidhjen e kësaj nyjeje që vjen hapur era korrupsion dhe dallavere zyrtarësh lokalë e qendrorë. Në dijeni është vënë, sipas burimeve që zotëron “MAPO”, edhe kabineti i zotit Berisha, përkatësisht shefi i Departamentit të Antikorrupsionit në këtë kabinet, Oerd Bylykbashi, i cili prej muajsh nuk bën asgjë që kjo çështje të marrë një zgjidhje, megjithëse abuzimi më këtë pronë dhe motivet që e kanë sjellë atë, duken apo merren lehtë më mend. Nuk dihen arsyet që e shtyjnë zotin Bylykbashi që të jetë kaq pasiv dhe jo-reagues ndaj kërkesave të përsëritura që ka marrë për të vepruar konform ligjit. Megjithatë, ky pasivitet po konsumohet pas shpinës së zotit Berisha dhe me kostot politike të këtij të fundit. Bylykbashi nuk do të votohet në qershor, Berisha po!

Revista “MAPO” u mundua gjatë të kontaktonte me Oerd Bylykbashin. Dëshironim të dëgjonim versionin e tij për këtë heshtje skandaloze të shtetit dhe konkretisht të zyrës që ai drejton, lidhur me këtë padrejtësi të hapur ndaj të drejtës së pronës dhe ndaj ligjeve në fuqi.

Kjo sipërfaqe toke, ashtu si shumë të tjera nëpër të gjithë bregdetin tonë nga veriu në jug, është sot subjekt i arbitraritetit të shtetit dhe dëshirës për vetëgjyqësi të ish-pronarëve të vërtetë e të rremë. Pa një arbitër të paanshëm, që në këtë rast është ligji dhe institucionet, kjo situatë s’mund veçse të rëndohet më tej. Por, kur vetë shteti bën sikur nuk sheh, është shumë e vështirë që ta gjesh të vërtetën e strukur nën peshën e indiferencës dhe të korrupsionit zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›