Udhëzimi i ri, diplomave u shtohet suplement mbi njohuritë e studentit
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka gati udhëzimin e ri për diplomat dhe pritet që nesër t’ua dërgojë universiteteve. Zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Adriana Gjonaj, tha dje se, “udhëzimi i ri për diplomat ka një përmirësim, në kuptimin e shmangies së disa elementeve, të cilat mund të mos ishin të domosdoshme. Por ne po respektojmë gjithmonë të drejtën e universiteteve që në një hapësirë të caktuar, ato të zgjedhin formën e diplomës, hapësirë që ka ekzistuar edhe në udhëzimin e mëparshëm”. Gjonaj shtoi se “në fillim të javës që vjen, do të çojmë në universitete suplementin e diplomës, që është një dokument, pjesë e procesit të Bolonjës, ku studenti bashkë me diplomën merr edhe një suplement, ku përshkruhen të gjitha njohuritë që ka marrë në shkollë”. Ky suplement u konsiderua nga Gjonaj si i dobishëm, për punëdhënësin, sepse kuptohen qartë njohuritë e punëmarrësit. Ajo konfirmoi se MASH ka lehtësuar udhëzimin nga ato pak elementë që u kërkuan nga studentët. “Gjithsesi, senatet e universiteteve, në përputhje me udhëzimin e MASH, kanë mundësinë të zgjedhin diplomat e tyre, duke ruajtur gjithmonë standardet shtetërore bazë që duhet të ketë çdo diplomë”, - tha Gjonaj, duke shtuar se diplomat e Shqipërisë do të mbajnë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE.
Debati
Debati mbi diplomat ka nisur në dhjetor, kur pas disa muajsh vonese, studentët u pajisën me diplomat e nivelit të parë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, diplomat ishin ndryshuar, në format A4, pra një fletë e zakonshme. Studentët e gazetarisë nuk pranuan të merrnin diplomën, duke u ankuar në rektoratin e Universitetit të Tiranës e më pas në ministri, që modeloi këtë diplomë.
Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, u shpreh gjatë një takimit me studentët se propozimi ishte i Universitetit të Tiranës dhe se kjo formë e emërtimit të diplomës krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë, por që nuk pranohet nga studentët. Ata u shprehën se diploma e re ishte joserioze dhe pa elemente sigurie. Më pas studentët e gazetarisë kanë shpërndarë propozimin e bërë nga Senati i Universitetit të Tiranës për formatin e diplomës, duke përgënjeshtruar Ministrinë e Arsimit. Në kundërpërgjigje, MASH deklaroi se kishte miratuar propozimin e Senatit, por sipas formateve të bëra publike nga studentët, diçka e tillë nuk rezultonte.
Diploma
Diploma e paraqitur nga MASH ishte e shtypur në formatin A4, me ngjyrë të kaltër të lehtë. Stemat kryesore në të ishin ajo e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, si dhe emblema e institucionit përkatës të arsimit të lartë. Në diplomë nuk sqarohej në asnjë vend se në cilin fakultet ka mbaruar studimet ky student. Përveç mungesës së fakultetit, në diplomë nuk cilësohej titulli që merr studenti me përfundimin e këtij cikli studimi. Në diplomë gjithashtu jepej një emërtim i përgjithshëm, duke mos shpjeguar specifika të tjera, çka sipas studentëve është e papranueshme. Ata janë ankuar se kjo diplomë nuk është e vlefshme në tregun e punës dhe se ekziston konkurrencë e pandershme, pasi diplomat e gazetarisë të universiteteve private janë më serioze, me më shumë elemente sigurie dhe më të thithshme nga tregu i punës. Pas miratimit të këtij udhëzimi të ri, i cili, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të jetë i vlefshëm për tregun e punës, pritet një reagim nga grupet studentore që prej rreth një muaji dalin në protesta dhe kërkojnë jo letra, por diploma.