E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja refuzon kërkesën e Vetëvendosjes

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, refuzoi sot një kërkesë të lëvizjes Vetëvendosje e cila kishte sfiduar kushtetueshmërinë e një mocioni të parlamentit në mbështetje të marrëeveshjeve me Serbinë.

Bëhej fjalë për një vendim të 20 janarit ku mirëpriteshin marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përmes të cilit Parlamenti shprehte mbështetjen për zbatimin e tyre të tërësishëm. Mocioni i 20 janarit shfuqizonte një mocion të miratuar më 7 dhjetor të viti 2011 që e detyronte qeverinë të zbatojë masa të ndërsjella me Serbinë. Parashtruesit e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kishin theksuar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare dhe konsiderojnë se vendimi i Parlamentit ishte ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare, që kërkonte procedurë të posaçme të paraparë me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi sot që hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme, pasi sic u shpreh ajo, natyra e kërkesës ishte jashtë juridiksionit të kësaj gjykate. Përplasjet rreth këtyre mocioneve kishin çuar në protestat e lëvizjes Vetëvendosje me 14 janar gjatë të cilave pati të plagosur e të arrestuar si dhe më 22 janar, të cilat kaluan pa incidente. Nëpërmjet atyre protestave, lëvizja Vetëvendosje synonte të nxiste zbatimin e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë, duke e kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për lëshime ndaj Serbisë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.(voa)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›