Presidenti, Rama: Nano? Pyesni edhe palën tjetër
UASHINGTON- Integrimi, reforma zgjedhore, 21 janari dhe zgjedhja e Presidentit ishin temat për të cilat kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama foli gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës.
Sa i përket proceseve integruese, opozita e ka bërë punën e saj, përgjegjësia kryesorë është e qeverisë, dhe barra kryesorë për të shkuar drejt marrjes së Statusit është e qeverisë, ne do bëjmë gjithçka.- tha ai.
Lidhur me reformën zgjedhore, Rama theksoi se; Ne e kemi bërë të qartë, që ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor, për ti dhënë vlerë çdo vote në territorin e Shqipërisë dhe përfaqësimin sa më të drejtë të partive që marrin votën e shqiptarëve.
Në përgjigje të deklarimeve të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, lidhur me 21 janarin dhe synimin e PS-së për ta kthyer atë në një protestë të dhunshme, kreu i opozitës tha; Faktet flasin me mirë. Shumë persona janë ndaluar, gjykuar, hetuar dhe kanë paguar pjesën e tyre të përgjegjësisë. Ndërkohë, që protestuesit e kanë pasur të gjithë pjesën e tyre të përgjegjësisë karshi ligjit, nga ana tjetër vrasësit dhe urdhëruesit e tyre vazhdojnë të jenë të pagjykuar, të pandëshkuar. PS ka qenë dhe mbetet e qartë, të gjithë janë të barabartë para ligjit, dhe për asnjë moment nuk i është kundërvënë gjykimit të gjithë atyre që ishin pjesë e asaj proteste që fatkeqësisht precipitoi në dhunë.
Më tej, Rama theksoi se të gjithë ata që janë hetuar për një dyshim të tillë, janë hetuar nga Policia e Shtetit, e cila ka konluduar se nuk ka patur asnjë provë që vërteton hipotezën, se ka patur një plan të PS për dhunë.
Sa i përket çështjes së Presidentit të ri, Rama u shpreh se, qëndrimi i PS-së është i qartë, “ne mendojmë se Shqipërisë i duhet një President i cili është garant i unitetit dhe institucioneve.
A do të pranohet Fatos Nano President?, Rama tha se; Duam që të jetë një President i pranuar nga të gjitha palët. Duhet të pyesni edhe palën tjetër.