E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, sot shqyrtohet kërkesa e ish-ushtarakëve

TIRANE-Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot kërkesën e ish-ushtarakëve për shfuqizimin e ligjit të pensioneve suplementare. Përmes një njoftimi të djeshëm për shtyp, ky institucion bëri të ditur se për shkak të objektit të njëjtë të kërkesës, Kushtetuesja ka bashkuar në një shqyrtim të vetëm gjyqësor kërkesat ankimore të paraqitura për këtë ligj nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, Shoqata “Organizata e Punonjësve të Policisë në Lirim”, Avokati i Popullit, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit si edhe Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”. Ligji i ri për pensionet e ish-ushtarakëve u depozitua për ankimim në mesin e muajit qershor të këtij viti. Duke qenë se ligji i miratuar nga qeveria nuk plotësonte as kërkesat më thelbësore të kësaj kategorie, ish-ushtarakët vendosën të mos i tërhiqnin pensionet e reja deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër nga organet gjyqësore. Sipas ish-ushtarakëve, ligji i ri për trajtimin e tyre financiar që miratoi qeveria në mbyllje të mandatit të saj, përmban shumë probleme dhe diskriminime. Kjo bëri që në radhët e tyre të shtoheshin së tepërmi pakënaqësitë për këtë ligj, derisa ata morën vendimin për të nisur një tjetër betejë ligjore me qeverinë, që kishte të bënte me kontestimin e projektligjit të ri për pensionet. Ndonëse ish-ushtarakët iu drejtuan që para zgjedhjeve të 28 qershorit Gjykatës Kushtetuese për bllokimin e ligjit, vendimi për pranimin e kërkesës së tyre është bërë në ditët e fundit të muajit shtator. Vendimi i Kushtetueses është komentuar nga kreu i Shoqatës së Ushtarakëve, si shenjë pozitive për zgjidhjen e problemit të tyre. “Gjykata Kushtetuese ka pranuar ta shqyrtojë kërkesën me të cilën ne i jemi drejtuar asaj para pak kohësh, për ligjin e miratuar nga qeveria për pensionet e ish-ushtarakëve”, - pohon Pogaçe.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›