E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ish ushtarakëve, Kushtetuesja shtyn shqyrtimin

TIRANE- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sot shqyrtimin e kërkesës së ish ushtarakëve për shfuqizimin e ligjit të pensioneve suplementare. Shkak për shtyrjen e procesit ka qenë mungesa e përfaqësuesit të Ministrisë së Financave që do të jepte argumenta lidhur me faturën financiare për pensionet suplmenetare të ish ushtarakëve.
Në një deklaratë të një dite më parë, Gjykata Kushtetuese kishte bërë me dije përmes një njoftimi se për shkak të objektit të njëjtë ka bashkuar në një shqyrtim të vetëm gjyqësor kërkesën ankimore të paraqitur për këtë ligj nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në rezervë, Organizata e punonjësve të policisë në lirim, Avokati i Popullit, Sindikata e punonjësve të policisë si dhe Aleanca Kombëtare e ushtarakëve të Shqipërisë.
Ligji i ri për pensionet e ish ushtarakëve u ankimua në qershor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese dhe sipas ish ushtarakëve drafti nuk plotësonte kërkesat e tyre.
Madje ish ushtarakët vendosën të mos tërhiqnin pensionet e reja deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër nga organet gjyqësore. Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë për të shqyrtuar ligjin në fund të shtatorit dhe kjo prej ish ushtarakëve u cilësua si shenjë pozitive për zgjidhjen e problemit të tyre. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›