E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 25 (E drejta për jetën) - 1. Secili individ gëzon të drejtën për jetën

23-05-2011 / Nga Luljeta Vuniqi

Vrasja e grave në Kosovë - lajm veç për kronikën e zezë


Pardje në Prishtinë është vrarë Diana Kastrati, 27 vjeç, nënë e një fëmije. Dyshohet se Diana është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj A. Jashari, 29 vjeç, shtetas kosovar. Ky është kreu i lajmit të publikuar të enjten në të gjitha mediat kosovare dhe vrasja e saj përfundoi në rreshtat e lajmeve ditore. Në distancë jo shumë të gjatë kohore prej se u vra gruaja shtatzënë e cila ndihmë kishte kërkuar tek familja e saj, ndodhi edhe rasti tjetër ku gruaja humbi jetën duke shpresuar në mbrojtjen që mund t`ia ofrojë shteti i saj, shteti në të cilin ajo deshi të realizonte ëndrrën e saj për të qenë e lumtur i mbeti në gjysmë, jo sepse ajo nuk deshi, po sepse shteti nuk bëri asgjë për të! Nuk e di se çfarë do të bëjë shteti i Kosovës, Parlamenti, kur më nuk do jetë i detyruar të aprovojë ligje me shumicë për të thënë se i ka. Se i ka ato ligje veç sa për t’i pasur po e shohim nga përditshmëria jonë. Ndryshe nuk mund të kuptohet shkalla aq lartë e moszbatimit të tyre. Kosova si shumë ligje të tjera të bukura, ka edhe Ligjin për mbrojtjen ndaj dhunës në familje, i cili duket i përkryer në letër. Sipas tij, në teori, të gjithë mbrohen nga dhuna në familje, ekzistojnë masat mbrojtëse të viktimave, duke përfshirë edhe disa mekanizma që duhet të funksionojnë. Në praktikë?… Këtu tani shfaqen problemet, ngaqë ndryshe si të shpjegohen vrasjet e njëpasnjëshme të grave nga bashkeshortët apo ish- bashkëshortët (katër vrasje të grave brenda 12 muajve të fundit) dhe tani vrasja e fundit e ish-bashkëshortes nga ish-bashkëshorti në mes të ditës në mes të  Prishtinës.  Sipas medieve, rasti është paraqitur në polici nga ana e viktimës dhe çfarë ka ndërmarrë policia e Kosovës lidhur me këtë rast nuk dihet, sipas kësaj që ndodhi del se policia ka dështuar që të mbrojë jetën e kësaj gruaje. Edhe ky rast në vazhdën e rasteve të mëhershme edhe një herë dëshmon se hartimi i ligjeve pa zbatim nuk është veçse edhe një ligj më shumë në sirtarët e shtetit tonë. Çfarë ndodhë kur ligjet nuk zbatohen, ndodh që ligjet e pashkruara zbatohen lehtësisht, individët marrin “ligjin” në dorë dhe e zbatojnë me allti! Deri më tani, nuk është shënuar as edhe një paraqitje publike e ndonjë nga pushtetarët dhe pushtetaret tona që të dënojnë raste të këtilla. Mosreagimi dhe heshtja e institucioneve kompetente që publikisht dhe institucionalisht të dënojnë akte të tilla i shkon në favor dhe fuqizon mendësinë e rrënjosur thellë në mentalitetin tonë që mosmarrëveshjet familjare, bashkëshortore të zgjidhen me dhunë e deri në vrasje. Edhe sa vrasje të grave nga burrat e tyre duhet të ndodhin që policia, gjyqësia, institucionet tona të reagojnë dhe veprojnë me kohë në mënyrë që të tilla raste mos të kalojnë në heshtje dhe pa reagimin e merituar. Është koha e fundit që institucionet tona të shkojnë përtej konstatimit që është bërë refren tanimë. Prandaj, nuk ka arsyetim kur vrasja e një gruaje bëhet lajm i zakonshëm i një kronike të zezë në media, ku jeta e një gruaje vlen sa “pesë pare”, e ku vrasësi nuk arrin të kapet as pas 48 orësh. Duhet t`i vijë fundi zvarritjës së proceseve gjyqësore për rastet e dhunës në familje dhe vonesës së gjyqësorit në dhënien e urdhrit mbrojtës gjë që mund të kushtojë jetë. Të nderuar pushtetarë dhe pushtetare, prokurorë, gjyqtarë dhe polici, pse heshtni...?! Heshtja juaj ndoshta do të duhet të kuptohet edhe kësaj radhe se keni “punë më të mëdha” se të merreni me humbjen e një jete aq më pak të një gruaje?!! Është radha juaj, reagoni, sepse për ata që vrasin asnjëherë nuk është rasti i fundit...!


Autorja është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›