KE diskuton këtë javë për vizat në Ballkanin Perëndimor
Në lupën e Brukselit do jenë vendet si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia
Pas dyndjes së emigrantëve tunizianë në vendet e BE-së, Komisioni Europian do të mblidhet të martën për të shqyrtuar pezullimin e përkohshëm të heqjes së vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Më herët Këshilli i ministrave të Punëve të Brendshme të BE-së ra dakord për gjetjen e një zgjidhjeje për emigrantët e paligjshëm duke vendosur gjetjen e një mekanizmi për të ruajtur sistemin e vizave “Schengen”.
Franca dhe Holanda janë dy nga vendet e BE-së, që kanë kërkuar shtimin e kontrolleve nëpër kufijtë përkatës, pas kalimit të kufijve të tyre nga emigrantë të paligjshëm. Mendohet se KE mund të marrë një vendim mbi pezullimin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi vendet e BE-së u gjendën para faktit se mijëra emigrantë tunizianë u dyndën ilegalisht përtej kufijve të Francës pasi kishin një leje të përkohshme qëndrimi në Itali.
Ky vendim që të marrë formë të prerë duhet mandej të miratohet në Parlamentin Europian. Vendet të cilat pritet t’i nënshtrohen vendimit të Bashkimit Evropian, janë Serbia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat kanë shkelur rekomandimet e Komisionit Evropian, lidhur me respektimin e kritereve të “Schengen”-it.
Siç është bërë e ditur tashmë, qytetarë nga vendet ish Jugosllave janë azilkërkuesit më të mëdhenj në vendet e Bashkimit Evropian. Përveç këtij problemi të madh, për kancelaritë perëndimore shqetësim është bërë edhe vala e emigrantëve nga Afrika e Veriut.
Nga ana tjetër, Shqipëria është ndër vendet e veçanta të rajonit që i është përmbajtur me korrektësi rekomandimeve të Komisionit Evropian. Kur kanë kaluar plot 6 muaj nga liberalizimi i vizave Shqipëri-BE, nuk është spikatur qoftë edhe një rast i vetëm i azilkërkuesve shqiptarë, apo valë emigrantësh drejt vendeve të “Schengen”-it.