E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miraton projekt-aktin për fletët e kontestuara- pritet miratimi i tabelës së rezultateve për bashkinë e Tiranës

23-05-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo miratoi pak minuta më parë me 4 vota “pro” dhe 3 vota kundër projekt-aktin për përllogaritjen në tabelën e rezultateve të fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar, të cilat u vlerësuan gjatë këtyre ditëve nga KQZ, që funksionoi në rolin e KZAZ-së së Tiranës. Pas 3 orë debatesh mes anëtarëve të KQZ, për këtë projekt-akt, kryetari i Komisionit, Arben Ristani, u shpreh se ai është hartuar në bazë të kërkesave që kanë ardhur nga KZAZ-të e Tiranës, lidhur me mënyrën se si do të vlerësoheshin votat e gjetura në kutitë e gabuara. “Këto kërkesa kanë ardhur nga shumë KZAZ dhe duhet të merrnin një zgjidhje nga KQZ, i cili në këtë rast funksionoi edhe si KZAZ për të përcaktuar mënyrën se si ata do të përmbyllin numërimin me të gjitha kutitë e votimit”- tha Ristani. Duke komentuar qëndrimin kundër këtij projekt-akti nga përfaqësuesit e opozitës në këtë komision, Ristani tha se “anti-akti u përpoq të realizojë parimin stalinist, “s’ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”. “Për ne është e kundërta, për ne rëndësi ka ai që voton”, tha kreu i KQZ-së.     
Miratimi i këtij projekt-akti u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës në këtë komision. Përfaqësuesi ligjor i  Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj, u shpreh se gjatë këtyre 4 ditëve janë rivlerësuar vota të shpallura të pavlefshme me vendim të KZAZ dhe ky veprim është jashtë kompetencës së KQZ. Ai theksoi se “në thelb ky është një akt normativ dhe duhet miratuar me shumicë të cilësuar nga KQZ”.
Pritet që KQZ në vijim të mbledhjes së sotme, të miratojë tabelën e rezultateve për Bashkinë e Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›