E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta e re e Turqisë dhe pushteti i presidentit

Anëtarët e Paralemntit turk filluan hartimin e një kushtetute të re këtë javë, një veprim që shihet tepër i rëndësishëm për t’i dhënë fund lidhjeve të Turqisë me të kaluarën ushtarake. Por megjithëse ka një konsensus lidhur me nevojën e një kushtetute të re, ndarjet politike vazhdojnë ta kërcënojnë këtë proces.

Parlamenti turk ka filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës 30-vjeçare për të zëvendësuar një tekst të miratuar 2 vjet pas grushtit ushtarak të vitit 1980, duke pasqyruar kështu ndryshimet e mëdha në një vend që tani drejtohet nga një qeveri e moderuar.

Kushtetuta ushtarake e tanishme fajësohet gjerësisht për kufizimin e lirive, në vend që t`i mbrojë ato. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan thotë se dokumenti, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit, do të ketë në qendër qytetarët dhe jo shtetin.

Grupeve të të drejtave civile, organizatave fetare dhe qytetarëve, u është kërkuar të kontribuojnë në procesin e hartimit të një kushtetute më liberale. Partia kryesore kurde e vendit, BDP, po ashtu po merr pjesë në këtë proces.

Disa analistë thonë se është ndoshta “sekreti” politik i Turqisë më i njohur, fakti që kryeministri Erdogan do të krijojë një presidencë shumë më të fuqishme, sipas modelit të Francës, apo SHBA-së.

Erdogan ka thenë se ai nuk do të qëndrojë në postin e kryeministrit pasi të përfundojë mandatin e tretë në vitin 2015. Ai tha këtë javë se sistemi presidencial do të diskutohet. Por të gjitha partitë e opozitës e kundërshtuan me shpejtësi çdo ndryshim nga sistemi aktual i fuqishëm parlamentar.

Fati përfundimtar i Kushtetutës së re dhe ndoshta një ndryshim i mundshëm i sistemit presidencial, do të varet nga Parlamenti dhe në fund të fundit, nga populli turk. Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit e Erdoganit, ka një shumicë të mjaftueshme për miratimin e kushtetuës së re, e cila do të ratifikohet me referendum. Por analistët druhen se një kushtetutë e re e miratuar në këtë mënyrë, në vend që ta bashkojë, do ta polarizojë vendin.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›