Kushtëzojnë marrëveshjen
Komisioni Europian ka dhënë shenjat e para se Kosova mund të bëjë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE’në duke thënë se vendi është në masë të madhe i gatshëm për këtë.
Por, kjo nuk pritet të ndodhë këtë vit për shkak se Kosova ende nuk i ka plotësuar disa prej kushteve që janë kërkuar edhe më herët në raportet e BE’së.
Kështu, të mërkurën është publikuar Studimi i Fizibilitetit dhe janë përmendur katër kushte që Kosova duhet t’i plotësojë në mënyrë që të hapet rruga për Marrëveshjen e
Stabilizim-Asociimit. Aty përmenden reformat në fushën e sundimit të ligjit, në administratën publike, në mbrojtjen e pakicave, në tregti, në gjyqësi, në të drejtat e njeriut, në reformën elektorale dhe në çështje të tjera.
Në dokumentin e Komisionit Europian shkruhet se nuk ka asnjë pengesë legale që Brukseli dhe Prishtina të bëjnë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, pavarësisht se pesë vende të BE’së nuk e njohin Kosovën.
Gjatë ditës, në Bruksel, Komisari për Zgjerim i BE’së, Stefan Fule ka deklaruar se Kosova duhet të përmbushë në disa faza obligimet që dalin nga dokumenti i BE’së.
Ai ka thënë se BE’ja do të monitorojë zbatimin e obligimeve derisa ato të përmbushen.
“Kosova po ecën me hapa të mëdhenj drejt BE’së”, ka thënë Fule.
Ai ka thënë se sapo Kosova të përmbushë kriteret për MSA, atëherë BE’ja do të ndërmarrë hapa konkretë.
“Komisioni do të propozojë negocimin e direktivave sapo Kosova të ketë shënuar progres në përmbushjen e një numri të prioriteteve afatshkurtra që lidhen me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e minoriteteve dhe kapacitetet tregtare”, ka thënë ai.
Edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se miratimi i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën tregon gatishmërinë e Prishtinës për nisjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).
“Ky studim ka konfirmuar qartë se nuk ka pengesa ligjore për realizimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian”, ka thënë Zbogar.
Ndryshe në Prishtinë është mirëpritur Studimi i Fizibilitetit dhe janë dhënë garanci se brenda tre muajsh do të përmbushen kërkesat që janë përmendur nga BE’ja.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se BE’ja për herë të parë po e konsideron Kosovë të barabartë me shtete të tjera, derisa ka premtuar se do të përmbushen të gjitha obligimet që dalin nga dokumentet e BEs’ë.
“Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit shënon hapin më të rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit integrues të shtetit të Kosovës në Bashkimin Europian dhe të faktorizimit të Kosovës në pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka kërkuar nga ministrat se duhet të punojnë për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga Studimi i Fizibilitetit.
“Komisioni Europian ka identifikuar katër fusha, në të cilat Kosova duhet të shënojë progres të menjëhershëm, me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia. Unë dua që ta bëj të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afatin rekord”, theksoi Kryeministri Thaçi.
Përgjegjësja për Integrime Europiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku ka përmendur afate kohore brenda të cilave do të përmbushen kriteret e përcaktuara nga BE’ja.
“Janë dy palë kritere, ato afatshkurta, të cilat ne duhet t’i përmbushim në mënyrë që edhe zyrtarisht të fillojë negocimi i MSA-së. Janë kritere të arritshme dhe shumë të matshme, të cilat ne mund t’i përmbushim brenda fare pak muajsh, për tre-katër muaj të gjitha këto kritere mund të realizohen”, tha Çitaku.
Pas publikimit të dokumentit të BE’së, ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e ka mirëpritur miratimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian.
“Studimi i Fizibilitetit konfirmon se Kosova është e gatshme për të hapur negociatat për MSA’në, pas përmbushjes së prioriteteve afatshkurtra, thuhet në deklaratën e Presidentes. Sipas Atifete Jahjagës, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit paraqet hapin e parë të madh të vendit në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit të plotë në Bashkimin Europian, proces ky që, sipas saj, është në një vijë me politikën e zgjerimit të BE’së dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Sundimi i ligjit, prioritet
Përveçse nuk ka pengesë që Kosova të lidhë MSA’në me BE’në, në raportin e Brukselit për Kosovën kërkohet që sundimi i ligjit të jetë njëra ndër pikat më të forta të Prishtinës.
“Duhet të ketë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që duhet të trajtohen si prioritet dhe të përforcohet legjislacioni dhe implementimi veçmas në parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore , drogës dhe trafikimit të armëve”, thuhet në Studimin e Fizibilitetit.
“Duhet progres në implementimin e strategjisë për administratën publike dhe planin e veprimit dhe legjislacionin e nevojshëm për këtë”.