E Diel, 1 Nëntor 2026

19 vjet më vonë, PS, sërish nën drejtimin e Ramiz Alisë

Sot mbushen 19 vjet, qëkur Partia e Punës ndërroi emrin në Parti Socialiste, përjashtoi byroistët nga radhët e veta dhe shpalli se pranonte demokracinë dhe pluralizmin. Por me ardhjen e Edi Ramës në krye të saj, pinjollët janë kthyer në krye të saj, ca në emrin e tyre, nëse janë ende aktivë, ca me emrat e fëmijëve e nipave. Pasi mbaroi faza e rikthimit, tani edhe formalisht Ramiz Alia ka ridalë në skenë, duke e bashkuar të gjithë nomenklaturën, nën drejtimin e vet, por me kujdestar të birin e Kristaqit

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha se tek opozita shqiptare janë shtrirë duart e zeza të antikulturës së bllokut, ish bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës, bllokmenët e vjetër, të ndihmuar potencialisht nga pinjollët e tyre, kanë rikthyer në vëmendje rrezikun e mundshëm ndaj rendit demokratik dhe prosperitetit të integrimit të Shqipërisë. Partia Socialiste s’ka njohur kurrë një reformë strukturore në historinë e saj politike, që pas shpalljes së pluralizmit, por nëpërmjet vrimave të strukturave të cekëta të saj, i ka lënë hapësirë injektimit të vrerit komunist, në çdo kohë dhe çdo moment.
Pas një periudhe afro 15 vjeçare filtrimi të PS-së nga falangat e vjetra bllokmene, në shtator të 2005-s ndodhi dhe thyerja historike, teksa në krye të kësaj force politike të transformuar cekët erdhi Edi Rama, i biri i Kristaq Ramës, ish anëtari i Komitetit të Presidiumit Popullor gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Pavarësisht se qarqe të ngushta të politikës dhe medias së përditshme nuk e konsideruan si një rrezik të mundshëm ndaj rendit demokratik dhe efektet e dyshimta që mund të vinin nga implikimi i konjukturave të bllokut të vjetër, frika për një qëndisje të xhaketave të vjetra të monizmit në kaskierën më të lartë politike ekzistonte. Aktualisht, mund të flitet me plot bindje se efekti i dozave të rënda të njerëzve të bllokut bashkë me pinjollët e tyre është më shumë se evidente dhe s’ka asnjë dyshim që mund ta mohojë se PS vazhdon të jetë një parti liberale dhe jashtë shushunjave pasardhëse të Enverit.
Kjo është plotësisht e qartë.
Edi Rama për vite me radhë është këshilluar, udhëzuar dhe urdhëruar në veprimtarinë e tij politike opozitare nga drejtuesi real i opozitës, Ramiz Alia. Kryetari real i Partisë Socialiste apo këshilltari personal i Edvinit, Ramiz Alia, prej 5 vitesh me radhë ka diktuar vendimmarrjen politike të opozitës së Partisë Socialiste dhe është investuar në mediat e kontrolluara nga kryesocialisti. Investimi i tij, tipik si udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve, udhëheqësi shpirtëror i qindra e mijëra familjeve që nuk gjejnë eshtrat e familjarëve të tyre, të ekzekutuar nga firma e Ramizit dhe Enverit, për bindje politike dhe kundërshtish të kontekstit ideologjik. Duket se Ramiz Alia ka fituar imunitetin e një përfaqësuesi të lartë politik të vendit dhe jo vetëm që nuk denjon të kërkojë ndjesë për krimet e monizmit, por përkundrazi përmes karagjozllëqeve mediatike luan rolin e gjykatësit se përgjegjësit duhet të kërkohen diku tjetër, madje edhe duke dhënë direktivat. Dhe këto, i bën qartë dhe me qetësinë më të madhe, për sa kohë nuk është vënë përballë organeve të drejtësisë për qindra ekzekutime politike të nomeklaturës, pa harruar këtu dhe masakrën e Tivarit, për të cilën Ramiz Alia me shokë mban përgjegjësi të veçanta. Në këto kushte, tematika më racionale për opozitën shqiptare në përgjithësi dhe për Partinë Socialiste në veçanti, është ajo e vdekjes së demokracisë së brendshme politike.
Ky nuk është një konstatim i ri.
Rikthimi në krye të PS-së i falangave të vjetra të monizmit enverist është tashmë një fakt i kryer dhe s’mund të fshihet diktimi i vendimmarrjes së opozitës nga ana e Ramiz Alisë dhe partizanëve të tij si Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, Namik Dokle etj,.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›