E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqiptari i kapur me gomone në Itali, u nis nga Greqia"



TIRANE - Ministria e Brendshme ka pohuar dje se gomonia e cila tri ditë më parë është kapur në brigjet italiane me një skafist në bordin e saj dhe me disa klandestinë, është nisur nga brigjet detare të Greqisë. Sipas Ministrisë së Brendshme, ky fakt është konfirmuar tashmë nga autoritetet policore të Greqisë dhe Italisë. Referuar të dhënave të marra nga policia shqiptare menjëherë pasi gomonia me klandestinë u kap në Itali ndërsa u bë e ditur se skafisti i saj ishte shqiptar, Ministria e Brendshme deklaroi se shtetasi që drejtonte gomonen, është banues në Greqi. Po kështu edhe personat e ndodhur në bordin e gomones sipas policisë nuk janë të kombësisë shqiptare ndërsa nga verifikimi ka rezultuar se klandestinët e ndaluar në Itali, ishin nisur nga brigjet detare greke përmes detit Jon në drejtim të Italisë me qëllim zbarkimin në këtë vend. Duke iu referuar pretendimeve mediatike se gomonia ishte nisur nga Shqipëria, Ministria e Brendshme e ka konsideruar këtë si një trillim të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. "Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për agresionin e vazhdueshëm të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama kundër procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë", thuhet në një deklaratë shtypi. Sipas saj, Edi Rama përdori median e shkruar për të thënë se nga brigjet shqiptare vijon trafiku i klandestinëve, kur këtë shpifje e mohuan sot kategorikisht autoritetet e vendit fqinj. "Ministria e Brendshme informon opinionin publik se autoritetet italiane kanë konfirmuar se skafi me klandestinë i kapur dje, nuk ishte nisur nga brigjet shqiptare, por nga brigjet greke", tha Ministria. Sipas saj, pretendimet se gomonia ishte nisur nga bregdeti shqiptar janë një përpjekje për të baltosur arritjet më domethënëse të Shqipërisë që çuan në propozimin historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave, për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›