E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kutitë”, Patozi: Rama infektoi Vlorën me virusin punist-mafioz



“Humbja e Ramës, jo fatkeqësi kombëtare”

Patozi, thirrje Ramës: Virusin tënd mbaje larg shqiptarëve

PD-ja denoncoi dje përpjekjet e kryesocialistit Edi Rama për të bërë politikë me kutitë e votimit edhe në festën kombëtare të shqiptarëve duke infektuar vlonjatet me virusin e tij punisto-mafioz. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, shefi i aleancës punisto-mafioze u përpoq nga Vlora që të infektonte me virusin e tij edhe ditën e festës më të madhe të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ai vuri në dukje se nën ethet e një skizofrenie, jo vetëm politike, Edi Rama po kërkon pa sukses që dëshpërimin dhe vrerin e vet pas humbjes në zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 28 qershorit, ta paraqesë si një fatkeqësi kombëtare.

“Por ne ftojmë të gjithë qytetarët e këtij vendi që të mos e marrin seriozisht dhe ta mëshirojnë këtë individ në krizë të thellë, sepse nuk është hera e parë që ata e shohin në një gjendje të tillë depresioni”. Patozi pohoi se Rama ka dështuar në të gjitha tentativat e veta për të prishur festat e mëdha të shqiptarëve, që nga marrja e ftesës për në NATO, ditën e madhe të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut e deri tek vendimi historik i pranimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian, javën e kaluar. “Ne i themi kësaj mendjeje të sëmurë se Shqipërinë dhe shqiptarët ky 28 Nëntor nuk i gjen në një moment dramatik dhe delikat, por duke përjetuar lajme dhe ngjarje të mëdha për të ardhmen e tyre. Shqiptarët janë sot anëtarë të NATO-s. Ata brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të lëvizin të lirë dhe pa viza në hapësirën Shengen dhe shumë shpejt do të bëhen qytetarë të Bashkimit Evropian”, - deklaroi z. Patozi. Por, për kreun e deputetëve demokratë, ky është vërtet një moment dramatik për të gjithë ata nostalgjikë të diktaturës dhe mafiozë të rinj që u gënjen mendja se mund të ndryshojnë kursin e pandalshëm të Shqipërisë drejt progresit dhe integrimit evropian, vetëm se është prishur ëndrra e tyre për të ardhur me çdo çmim në pushtet. Sipas Patozit, ky është vërtet një moment delikat për mafien politiko-ekonomike dhe për “padrinon” e saj, që shikon me frikë se çdo shtrëngim i darëve të forta të ligjit i prish në mënyrë të pakthyeshme llogaritë e saj të pista. Z. Patozi më tej vuri në dukje se shqiptarët do t’i përjetojnë të lirë dhe të qetë festat e tyre kalendarike, por mbi të gjitha zhvillimet e vrullshme që po përjeton vendi për meritë të reformave të kësaj qeverie dhe të kësaj mazhorance. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së shprehu besimin se asnjë qytetar normal në Shqipëri nuk ka si të ndiejë keqardhje nga dhimbjet e mafies, në këtë moment vërtet dramatik për të.

Dita e Pavarësisë, Rama, politikë me kutitë

Krerët e partive të majta u mblodhën dje në Sheshin e Flamurit në Vlorë për të festuar Ditën e Pavarësisë. Por, kryetari i PS-së, Edi Rama, e shfrytëzoi këtë ditë për të artikuluar sërish akuza ndaj Berishës dhe mazhorancës për moshapjen e kutive të votimit. “E vërteta është se përvjetori i këtij viti e gjen demokracinë në një moment delikat, ekonominë shqiptare të kërcënuar nga falimentimi, moment kur opozita shqiptare është jashtë Parlamentit, një Parlament ky që aktualisht është jashtë binarëve të ligjit. Kjo datë na gjen në përpjekje qytetare, me vetëdijen e plotë për mbrojtjen e votës së lirë. Më i madh se çdo interes vetjak i secilit prej nesh. Pa dyshim, gjëja më e lehtë është të mbyllim sytë, por mbyllja e syve është më e keqe ndaj çdo tradhtie ndaj atdheut”, - theksoi kryetari i PS-së.

Kollozi: Vlora nuk përdoret për qëllimet e Ramës

Deputetët e PD-së në Vlorë e quajtën të turpshme praninë e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në Sheshin e Flamurit dhe deklaratat e tij për hapjen e kutive të votimit në Ditën e Pavarësisë Kombëtare.

Deputeti demokrat i këtij qyteti, z. Ardian Kollozi, deklaroi: “Vlora nuk mund të përdoret ashtu sikurse ka ndodhur më parë, ndaj kjo ishte thjesht maskarada e radhës e Ramës”. Përfaqësuesit e PD-së në Vlorë dje vunë kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë, ndërkohë që vijuan më pas të ecnin në këmbë nga Sheshi i Flamurit përgjatë rrugës kryesore Vlorë - Skelë.

Pavarësia, Meta, në Sheshin e Flamurit

Në emër të qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ishte dje në Vlorë ku vendosi kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë bashkë me përfaqësues politikë të qeverisë dhe deputetë të mazhorancës.

Sipas z. Meta, 28 Nëntori është një ditë e shënuar për gjithë kombin shqiptar.

“Shqipëria është sot pjesë e NATO-s dhe po ecën e sigurt drejt anëtarësimit evropian. Është një ditë kur feston jo vetëm Shqipëria, por i gjithë kombi, pasi feston edhe Kosova dhe në themel të arritjeve qëndron sakrifica e popullit shqiptar e për këtë nderojmë plakun e urtë dhe të mençur Ismail Qemali”, - deklaroi z. Meta. Ndryshe nga pjesa tjetër e mazhorancës, kreyatri i LSI-së njoftoi se forca e tij politike do të festojë sot festën e clirimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›