E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni; Shpërndanin kokainë, shtatë shqiptarë në pranga



Itali

Policia italiane ka shkatërruar një bandë shqiptare që merrej me shpërndarjen e kokainës në lokalet e natës dhe diskotekat në kuesturën e Cuneo-s. Në prangat e karabinierëve ranë shtatë shqiptarë dhe një sasi e madhe droge. Operacioni i policisë u finalizua pas disa muaj hetimesh të kryera. Shqiptarët e përfshirë në këtë bandë furnizonin të gjithë zonën me lëndë narkotike, ndërkohë që në disa raste, përdornin edhe dhunën për t’u marrë klientëve paratë nga shitja e drogës. Policia italiane ka shoqëruar në qeli të shtatë të ndaluarit dhe po vazhdon hetimet për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë trafik.

Hetimet

Hetimet për bandën e shqiptarëve kishin nisur para disa muajve nga prokuroria e Cuneo-s. Agjentët kishin nisur të hetonin për shpërndarjen e lëndëve narkotike nëpër klubet e natës dhe diskotekat e zonës. Aty u identifikuan një numër i madh frekuentuesish që kishin kontakte me disa shqiptarë, të njohur nga forcat e policisë. Në bazë të informacioneve të mbledhura, u identifikuan katër shqiptarë, që duke pasur funksione të ndryshme, merreshin me sigurimin dhe shpërndarjen e drogës në sasi të mëdha. Agjentët arritën në këtë përfundim në bazë të përgjimeve telefonike dhe ato në terren të të ndaluarve. Policia vuri në pranga në fillim një emigrant shqiptar, i cili banonte në Busca, me profesion zejtar, i cili u kap me një sasi kokaine. Më pas, në pranga u vu një 30-vjeçar po nga Shqipëria, klandestin. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe doza kokaine, të bëra gati për t’u shitur. Më pas u ndalua një 40-vjeçar italian, zejtar, i cili u kap me doza kokaine. Sipas burimeve policore, në sajë të hetimeve të kryera, u arrit të bihej në gjurmë dhe të arrestoheshin katër shqiptarë të tjerë. Në veçanti u vërejt puna në bandë e një 40-vjeçari shqiptar i cili qëndronte në Saluzzo, bashkëpronar i një firme ndërtimi, që duke punuar në lokale nate merrej me sigurimin dhe shpërndarjen e drogës. Në disa raste, sipas policisë italiane, banda ishte shumë e dhunshme, kur klientët e tyre nuk u jepnin paratë për drogën e marrë. Ata, gjatë marrëveshjeve të kryera për shitjen e drogës, kishte raste që kishin shkëmbyer mallin me armë. Sipas hetuesve, shpërndarësit ishin aktivë në të gjithë zonën dhe përdornin makina me cilindra të lartë dhe kishin krijuar një kanal të shpërndarjes preferenciale, me disa konsumatorë që janë identifikuar nga policia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›