E Diel, 1 Nëntor 2026

Si fitoi koncesionin e naftës burri i këshilltares së Berishës

Qeveria ia dha të drejtën e shfrytëzimit të naftës "firmës kanadeze" që rezulton se drejtohet nga Arjan Tartari


TIRANË- Arian Tartari, bashkëshorti i deputetes Vjollca Vokshi ka përfituar në koncesion nafte që i jep të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës nën emrin e një kompanie kanadeze.


Falë vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, Tartari posedon të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës nga Ballshi e deri në Devoll. Por edhe pse kompania është prezantuar si kanadeze, ajo rezulton që të jetë nën drejtimin e Arjan Tartarit dhe një shtetasi grek që si zyrë ka Ishujt Kajman, një zonë e njohur për ngritjen e firmave fantazmë pasi legjislacioni fiskal është shumë liberal.


Në gusht të vitit 2007 u fol gjatë për një kompani të huaj që do të investonte miliona euro në sektorin e naftës në Shqipëri. Madje u tha se kompania me origjinë kanadeze, jo vetëm që do të investonte në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës vendase, por edhe në fushën e kërkimeve të këtij sektori energjetik. Bëhet fjalë për shoqërinë "STREAM OIL & GAS".


Sipas deklaratave zyrtare, kompania ishte kanadeze dhe tepër e fuqishme në këtë sektor. Ndërsa më 23 gusht të këtij viti qeveria shqiptare miraton marrëveshjen e koncesioni me këtë kompani për shfrytëzimin e vendburimeve kryesore në vend.


Kështu në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili ka hyrë në fuqi më 7 shtator të vitit 2007, kompania "STREAM OIL & GAS", është sot menaxhere e këtyre vendburimeve.
Madje për 25 vjet kjo shoqëri ka të drejtën e kërkimit, përpunimit dhe tregtimin të naftës dhe gazit në të cilën pritet të prodhohet.


Por në kundërshtim nga ajo sa u reklamua, kompania rezulton të jetë nën drejtimin e Arjan Tartarit, bashkëshortja e të cilit, Albana Vokshi, aso kohe këshillonte kryeministrin për çështjet ekonomik. Pikërisht, kjo kompani, me vendim të Këshillit të Ministrave, fiton të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve për 25 vjet.


Në vendimi e këshillit të ministrave thuhet: Vendosim miratimin e marrëveshjeve hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Ballsh-Hekal, ndërmjet Albpetrol, sha-së, dhe STREAM OIL & GAS Limited.


Miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Gorisht-Kocul, ndërmjet Albpetrol, sha-së, dhe STREAM OIL & GAS Limited.


Miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Cakran-Mollaj, ndërmjet Albpetrol, sha-së, dhe STREAM OIL & GAS Limited, Miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Delvinës, ndërmjet Albpetrol, sha-së, dhe STREAM OIL & GAS Limited, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.


Kompania "Stream Oil & Gas Ltd" kishte planifikuar të investonte 500 milion USD në fushën e naftës dhe gazit, si dhe në projektet energjetike në Shqipëri.


Presidenti i deklaruar i kompanisë, Sotiris Kapotas, ka thënë se plani i investimit të kësaj kompanie në Shqipëri, kap një vlerë prej 200 milion USD në projektet në fushën e energjetikës si dhe mbi 300 milion USD për zhvillimin e centraleve elektrike, me bazë gazin e nxjerrë në zonën e Delvinës.


Në bazë të veprimeve që parashikohen në marrëveshjet hidrokarbure, në 24 muaj, kompania "Stream Oil & Gas" parashikon të përdorë një kapital me vlerë 4,8 milion USD, i nevojshëm për vlerësimin dhe rehabilitimin e puseve të naftës dhe gazit në Shqipëri. Sipas marrëveshjeve me "Albpetrol" dhe AKBN, tashmë kjo kompani ka prezantuar dhe programin e zhvillimit të tyre.


Marrëveshjet përfshijnë të drejtën për rizhvillim, prodhim dhe shitje të produkteve të zonave ekzistuese të naftës dhe gazit, duke shfrytëzuar puset dhe infrastrukturën ekzistuese. Kompania në fjalë ka nënshkruar marrëveshjen për shitjen e naftës dhe gazit bruto me dy kompanitë shqiptare, "Albpetrol" dhe "ARMO", duke iu ofruar atyre naftë dhe gaz bruto.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›