Tahiri: “Berisha po rrezikon integrimin me krizën politike”
Eljona Ballhysa
Vetëm një ditë pas deklaratës së komisionerit europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, ka reaguar dje selia rozë duke bërë përgjegjës kryeministrin Berisha për thellimin e krizës politike në vend dhe për pezullimin e procesit integrues në BE. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, tha dje se Berisha, përveçse e la Shqipërinë jashtë dyerve të BE-së, tani po cenon rëndë themelet e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Tahiri e akuzoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë që ai drejton për korrupsion, ndërsa Parlamentin e cilësoi si një paradhomë të qeverisë.
Reagimi
“Edhe ky vit i ri për shqiptarët filloi me një krizë, të cilën Sali Berisha nuk e zgjidhi, por e thelloi duke mohuar hetimin e zgjedhjeve të kaluara, e bashkë me to duke kërcënuar seriozisht zgjedhjet e ardhshme. Komisioneri Fyle kujtoi edhe një herë se e njëjta krizë që e la Shqipërinë jashtë dyerve të Bashkimit Europian vazhdon ende të peshojë mbi qeverinë si një sirenë e fortë alarmi, duke cenuar në themel demokracinë dhe shtetin ligjor. Dhe për këtë e ka fajin Sali Berisha që e ka lënë në baltë Shqipërinë dhe shqiptarët, për të vjedhur votat dhe pasurinë publike. Pushteti i votave të vjedhura nuk ka më asgjë të përbashkët me standardet europiane, por mishëron standarde talebane, duke plaçkitur e vjedhur me babëzinë e korrupsionit gjithçka që në këtë vend i përket popullit”, - është shprehur deputeti socialist. Vetëm dy ditë më parë, Komisioni Europian lëshoi një mesazh të qartë për klasën politike në Shqipëri. Sipas KE-së, pa arritur një marrëveshje konsensuale për zgjidhjen e krizës politike, nuk do të ketë asnjë negociatë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Akuzat
Deputeti socialist e cilësoi qeverinë një agjenci korruptive të ministrave dhe të ortakëve të oborrit qeveritar. “Qeveria është kthyer në një agjenci sekserësh që trafikon ditën dhe natën, në emër të vet, të ministrave apo ortakërive korruptive, duke përvetësuar gjithçka përbën përfitim të paligjshëm, nga karburantet, energjia, deri te rrëmbimi i pronave të qytetarëve, nga lejet dhe licencat, tenderët e koncesionet, trafiku i plehrave dhe interesave me mafien ndërkombëtare, zhytur në një llum korrupsioni prej nga ka kapur shtetin karteli qeveritar. Parlamenti është shndërruar në paradhomën e partisë në pushtet, ku ligjet shkelen e zhbëhen, përdhosen institucionet e pavarura kushtetuese, vidhen taksat e qytetarëve për dietat e Jozefinës dhe majmjen e deputetëve të qeverisë, duke çmontuar demokracinë dhe shtetin ligjor me dhunën e arrogancën e pushtetit të votave të vjedhura, tamam siç ndaloi në mënyrë antikushtetuese të drejtën tonë për të hetuar zgjedhjet e kaluara”, - është shprehur Tahiri. Më tej ai tha se e vërteta do të dalë një ditë nga kutitë, sado që mundohet ta mbulojë kryeministri Berisha. “E vërteta e votave të vjedhura në zgjedhjet e kaluara nuk është kurrë çështje e kaluar e nuk do të bëhet kurrë e tillë, sado të mundohet Saliu. E vërteta e zgjedhjeve të kaluara peshon sot më shumë se kurrë mbi kokën e pushtetarëve që qeverisin me vota të vjedhura, për të vjedhur shqiptarët e zakonshëm. E vërteta do të dalë nga kutitë, pavarësisht përpjekjeve të Sali Berishës për ta penguar”, - është shprehur Tahiri.
Islami: “KQZ-ja duhet të qëndrojë larg ngërçit politik”
Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, sugjeroi dje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të qëndrojë larg krizës politike dhe debatit politik sepse, sipas tij, implikimi i KQZ-së në këtë debat do të ndikojë negativisht në administrimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Deputeti Islami, njëkohësisht sekretar për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, në një prononcim për median, komentoi vendimin e fundvitit të KQZ-së për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të 28 qershorit 2009, i cili do të fillojë të zbatohet më 7 janar, për të përfunduar më 5 mars. “Nga pikëpamja formale duket sikur KQZ-ja po zbaton Kodin Zgjedhor dhe më konkretisht nenin 178.6 të tij, ndërkohë që prej mëse 18 muajsh nuk ka pasur asnjë arsye formale që të pengonte KQZ-në të kryente të njëjtin veprim. I vetmi argument në këtë rast do të ishte nevoja për përgatitjen e zgjedhjeve vendore, pra thjesht çështje kohe. Në realitet duhet pranuar se KQZ-ja nuk e ka zbatuar deri tani nenin 178.6 të Kodit Zgjedhor për shkak të ngërçit politik të krijuar, pasi opozita, duke e konsideruar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 politikisht të papranueshëm përcaktoi si objektiv të sajin hapjen e kutive të votimit. Mendoj se vlerësimi i deritanishëm i KQZ-së ka qenë i drejtë, ndonëse në mënyrë strikte ligjore askush nuk do ta pengonte atë të zbatonte nenin 178.6 të Kodit Zgjedhor. Frenimi i KQZ-së nga zbatimi i nenit 178.6, nga njëra anë ka qenë një veprim që duke e marrë në konsideratë situatën politike ka shmangur implikimin e tij në ngërçin politik dhe, nga ana tjetër, ky mosveprim mund të konsiderohet moszbatim strikt ligjor i Kodit Zgjedhor, ose shkelje e tij për shkak të ngërçit politik, pra një veprim me arsyetim politik. Preferoj të privilegjoj mosimplikimin e KQZ-së në këtë ngërç politik, qoftë edhe me koston e moszbatimit strikt të Kodit Zgjedhor”, - ka argumentuar Islami. Sipas tij, “futja në lojë e KQZ-së vetëm do ta komplikojë më tej situatën dhe do të fusë në këtë sherr politik edhe KQZ-në”. Madje ai ka bërë të ditur se ka shumë gjasa që PS-ja taktikisht të tërheqë komisionerët nga KQZ-ja, të frenojë apo vonojë procesin e parapërgatitjeve të zgjedhjeve vendore.
Qëndrimi
Meta: “Lënia e imunitetit, një kërkesë e Komisionit Europian”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri të ditur dje se partia që ai drejton mbështet kërkesën e Komisionit Europian për heqjen e imunitetit të deputetëve. “Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh ka apeluar ndaj të gjitha forcave politike në Parlament për të bërë së bashku atë ndryshim të domosdoshëm ligjor dhe kushtetues, i cili e heq përfundimisht imunitetin si një pengesë për hetimin e deputetëve dhe prej kohësh ne si përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Parlament e kemi konsideruar veten pa imunitet përballë çdo lloj akuze për korrupsion apo për shkelje të ligjit, duke e ftuar Prokurorinë dhe organet e zbatimit të ligjit që të ndjekin dhe verifikojnë çdo akuzë, pa pasur aspak pengesën e imunitetit. Natyrisht që është e domosdoshme që kjo të bëhet nga të gjitha forcat politike në Parlament, pasi ka qenë dhe mbetet një kërkesë e Komisionit Europian, si një hap i vullnetit të mirë në luftën kundër korrupsionit, sidomos në sferën politike”, - është shprehur Meta. Ai tha se LSI-ja mbështet të dyja alternativat ligjore për heqjen e imunitetit, si ndryshimin kushtetues, ashtu dhe heqjen dorë nga imuniteti nëpërmjet nënshkrimit të një deklarate. “Absolutisht që ne jemi për të dyja alternativat, dhe e kemi deklaruar që për ne si deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ekziston imuniteti, që do të thotë se përfaqësuesit tanë janë të hapur ndaj çdo akuze për t’u verifikuar, duke hequr dorë në mënyrë të menjëhershme nga imuniteti i tyre, pra pa kërkuar mbrojtjen përmes imunitetit. Por, në mënyrë që të realizohet jo vetëm një demonstrim i vullnetit të mirë të forcave të caktuara politike, në rastin konkret të PD-së apo të LSI-së, në mënyrë që kjo të mos mbetet vetëm këtu, por të hiqet çdo lloj interpretimi ligjor apo kushtetues që për momentin mund të shfrytëzohet për të përdorur imunitetin si një mbrojtje apo si një koracë ndaj akuzave të tilla është e mira që të gjitha forcat politike me konsensus të bëjnë çdo ndryshim, i cili përfundimisht e rrëzon imunitetin si një pengesë, qoftë edhe të përkohshme, për Prokurorinë dhe organet e zbatimit të ligjit për të hetuar ndaj çdo
deputeti dhe politikani”, - është shprehur zëvendëskryeministri. Ai tha se qëndrimi i opozitës kundër kësaj kërkese është një mungesë e qartë vullneti për të luftuar korrupsionin. “Është një mungesë e qartë e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe për të qenë të hapur për të bashkëpunuar pa kushte me drejtësinë, në këtë drejtim, dhe njëkohësisht kjo nuk është vetëm një demonstrim i vullnetit të mirë, një akt moral, një akt transparence, por është dhe një detyrim për procesin e integrimit europian”, - është shprehur Meta.
6 Janar 2011