Mungesa e fondeve, qeveria shtyn blerjen e helikopterëve francezë
TIRANË- Kushdo që do të jetë në pushtet në vitin 2014, përpos detyrimeve të tjera financiare, do të duhet që të paguajë edhe për një helikopter, si rezultat i kontratës së ndryshuar tashmë mes shoqërisë franceze “EUROCOPTER” dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të pamundësisë financiare, për të paguar helikopterët brenda afatit të përcaktuar në kontratë (2013). Në zyrat e Kuvendit është depozituar një projektligj i miratuar vetëm në fillim të këtij muaji, nga Këshilli i Ministrave, për disa ndryshime në ligjin “Për miratimin e kontratës së lidhur, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shoqërisë, “EUROCOPTER” për furnizimin me 5 helikopterë të mesëm shumë-rolësh”. Në këtë projektligj thuhet se programi i zbatimit të kontratës nuk do të shtrihet në dy vite buxhetore (ashtu siç ishte në kontratën e miratuar dy vite më parë) por në tre vite buxhetore, duke përfunduar vetëm në vitin 2014.
Kontrata
Ministria e Mbrojtjes në vitin 2009 ka lidhur kontratën me shoqërinë “EUROCOPTER”, për blerjen e paketës së helikopterëve shumërolësh, që përbëhet nga pesë helikopterë të tipit Cougar AS532 AL, të versionit ushtarak të familjes së helikopterëve Super Puma. Zbatimi i kësaj kontrate, (sipas relacionit që i bashkangjitet projektligjit) do të rrisë ndjeshëm efektivitetin e Forcave Ajrore, për realizimin e misionit të tyre gjatë kryerjes së operacioneve mbështetëse në nivel kombëtar dhe pjesëmarrjes në misione, që drejtohen nga NATO-ja. Këta helikopterë do të mundësojnë veçanërisht misionin e transportit të trupave, transportit mjekësor dhe të operacioneve të kërkim shpëtimit. Kontrata është miratuar me ligjin “Për miratimin e kontratës së lidhur, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë “EUROCOPTER”, nga Kuvendi dhe parashikonte një shtrirje kohore nga viti 2009 deri në vitin 2013. Por, pas analizës së ecurisë së zbatimit të kontratës dhe ngarkesës që ajo jep në buxhetin e mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes arriti në përfundimin se kontrata nuk mund të realizohet sipas fazave të përcaktuara. Në këto kushte, kjo ministri i propozoi shoqërisë ‘EUROCOPTER” disa ndryshime në kontratë. Këto ndryshime, sipas kontratës që i bashkangjitet projektligjit, nuk prekin në fakt vlerën e përgjithshme të kontratës dhe as cilësinë e konfigurimit të helikopterëve.
Ndryshimi i Kontratës
Domosdoshmëria e ndryshimeve bazohet në nenin 23 të kontratës, ku thuhet ndër të tjera se kontrata hyn në fuqi pas ratifikimit të saj, dhe në nenin 12 pika 12/2, ku theksohet se nëqoftëse kontrata nuk do të hyjë në fuqi deri në datën 31 dhjetor të vitit 2009, palët do të rillogarisin kohën e furnizimit me helikopterë, dhe se helikopteri i parë do të furnizohej 23 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të kontratës. Por ndryshe nga sa ishte parashikuar, kontrata hyri në fuqi pesë muaj me vonesë, për shkak të kalimit për miratim në Kuvendin e Republikës. Për rrjedhojë u shty edhe koha e furnizimit të helikopterit të parë, nga viti 2011 në vitin 2012. Për pasojë, sipas relacionit që i bashkangjitet projektligjit, furnizimi i helikopterëve nuk do të ishte me shpërndarje në tre vite buxhetore, por në dy vite të tilla (tre helikopterë në vitin 2012 dhe dy helikopterë në vitin 2013). Në kushtet e pamundësisë së përballimit të kësaj ngarkese financiare, të përqendruar në dy vite, dhe me qëllim shmangien e penaliteteve të mundshme, Ministria e Mbrojtjes negocioi ndryshimet në kontratë me shoqërinë ”EUROCOPTER”. Këto ndryshime sipas kontratës kanë të bëjnë me: a) zgjatjen e kohës së realizimit të kontratës, nga viti 2013 deri në vitin 2014; b) furnizimin me helikopterë të shtrirë në tre vite buxhetore. Për pasojë, në vitin 2012 vendi ynë do të furnizohet me 2 helikopterë; në vitin 2013 po me dy helikopterë ndërsa në vitin 2014 do të furnizohet me një helikopter. Meqenëse kontrata është miratuar në Kuvend, atëherë nevojitet që edhe ndryshimet e saj të kalojnë përmes të njëjtës procedurë. Miratimi i këtyre ndryshimeve do të lehtësonte në fakt detyrimin për të paguar dëmshpërblimin për mosrealizimin e afateve të përcaktuara në projekt.