Palombarë për të kontrolluar jahtet e biznesmenëve
Policia e Vlorës: Nuk është bërë presion mbi biznesin. Kemi marrë vesh se në një nga anijet është fshehur kokainë
VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në përdorim dje palombarët dhe qentë antidrogë teksa ka vazhduar kontrollet dhe presionet në portin e jahteve ku ndodhen edhe anijet e disa biznesmenëve shqiptarë e të huaj. Në ditën e dytë të kontrollit të jahteve në portin e Orikumit, policia e FNSH si dhe Guardia di Financa kanë vijuar të kontrollojnë çdo pjesë të disa nga mjeteve luksoze.
Në portin e jahteve ndodhen rreth 35 të tillë, në det dhe në tokë. Jahtet që ndodhen në port, në Orikum, janë në pronësi të shtetasve italianë, por edhe të tjerë emrave të njohur në Shqipëri. Sipas të dhënave, te porti i jahteve ndodhet edhe mjeti i Eduard Belegut (ish - këshilltari i ministrit të Energjitikës, i akuzuar për korrupsion), po kështu ndodhen edhe jahte të deputetit të PDU-së Dashamir Tahiri (i cili është një biznesmen që ka bashkëpunuar me konsorciumin për petroliferën), apo edhe disa biznesmenëve shqiptarë si Artan Mene - president i AM Group dhe Dritan Dulakut, ndërtues.
Burime nga prokuroria e Vlorës sqarojnë se kontrolli i këtyre jahteve nuk ka qenë për moratoriumin e skafeve dhe dokumentacionin e tyre, por bazuar në dyshimin se në njërën prej tyre ka pasur lëndë narkotikë. Burimet thonë se janë informuar që në një nga jahtet të ketë pasur një sasi të konsiderueshme droge të tipit kokainë. Për kontrollin e jahteve është vënë në dispozicion dhe qeni i specializuar për antidrogën, ndërsa në ditën e djeshme janë kryer edhe kontrolle me palombarë për të vëzhguar pjesët e poshtme të mjeteve lundruese. Ashtu si edhe një ditë më parë, në territorin e portit të jahteve nuk është lejuar të hyjë asnjë person.
Me anë të një deklarate për shtyp, policia e Vlorës ka bërë publike arsyen e kontrollit me forcat speciale dhe prokurorinë në portin e Jahteve në Orikum. Sipas zëdhënësit të drejtorisë së kësaj policie, Saimir Koçiaj, kontrolli ka nisur në bazë të një informacioni për një sasi lënde narkotike e cila mund të ishte fshehur në një prej mjeteve që ndodhen në ujë në Molin e Jahteve. Sipas policisë, janë kontrolluar gjithsej tetë jahte, kontroll i cili është kryer në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë. Ndërkohë që kontrollet kanë vijuar edhe ditën e djeshme por siç thuhet edhe në komunikatën e policisë, deri tani nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.