E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, 71 vota “pro” miratimit të ligjit të Pronave. Opozita kundërshton, Topalli: Tokat e Tiranës, Edi Rama ia dha Besos dhe Fidelit

10-05-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca dhe opozita votojnë në unanimitet ligjin që i jep të drejtë EULEX-it të hetojë në vendin tonë lidhur me akuzat e Dick Marty


“Pronat” sollën sërish debatet e ashpra mes palëve politike në seancën parlamentare të ditës së sotme. Akuzat e ndërsjella mes tyre shkuan deri aty sa Kryeparlamentarja Topalli iu kundërpërgjigj opozitës me shembuj konkret sa i takon qëndrimeve të tyre ndaj shtesës së pronarëve. Deputeti i PS, Erion Braçe akuzoi qeverinë për afera korruptive me pronat në jug. “Ç’po ndodh me pronat në jug, duke filluar në Porto Romano e duke përfunduar në Borsh, ç’po ndodh në dy ligje, për legalizimin. Ka lidhje me aferën korruptive që po e kalon pronën në duar banditësh që po marrin vijën bregdetare, për të lënë me gisht në gojë të gjithë pronarët. Për këtë arsye ky ligj nuk do të shërbejë. Është e pamundur për të gjetur një ligj tjetër që të ketë ndryshuar më shumë brenda një mandati qeverisës dhe sa paradoksi është i jashtëzakonshëm. Afati i ri që vendoset për një dosje shkon deri në vitin 2014 dhe që nga viti 1990 deri më 2014 unë numëroj 24 vjet për të shqyrtuar një çështje pronësie dhe për të shqyrtuar një dosje”, vlerësoi Braçe. Kundrejt një qëndrimi të tillë, ka ardhur dhe reagimi i Kryetares se Kuvendit e cila akuzoi opozitën se nuk ka kompensuar asnjë ish-pronar, ndërkohë që sulmoi kreun e PS, Edi Rama. “Edi Rama i dha Besos mezen e kryeqytetit. Deri në 2005 zero kompensim financiar për ish-pronarët. Tokat në Tiranë Rama ja ka dhënë Fidelit e Besos. Pse keni kaq urrejtje për ish-pronarët ?”, vuri në dukje Topalli.


Mediu


Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka dhënë mbështetjen e tij për projektligjin, duke pranuar se tre amendamentet e propozuara prej tij kanë gjetur pasqyrim. Ai ka deklaruar se e drejta e pronës për vite me radhë është trajtuar ndesh me interesin e pronarëve të ligjshëm.


Alibeaj


Ndërkohë që deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka theksuar se me projektligjin në fjalë gjejnë zgjidhje të gjitha çështjet për të kaluar në hallkën e fundit që me përmbylljen e privatizimit të përmbyllet njëherë e mirë edhe tranzicioni që lidhej me pronat. “Projektligji është pa ngjyrime politike, i diktuar nga nevojat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, i tejkalon sensibilitetet politike të majta e të djathta e duhet të marrë edhe votën morale të mazhorancës e opozitës. Bazuar në projektligj, është e pamundur për të hyrë e manipuluar çmimin e tregut, pasi lloji i pronës e kategorizimi i pronës është një çështje e parashikuar dhe kategorizuar me ligje të miratuar që më parë, është kriter pa mundësi për të ndërhyrë në të”, u shpreh Alibeaj, lidhur me një çështje të tillë. Në përfundim të diskutimeve Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet ne ligjin e pronave, pasi ligjvënësit socialistë sikundër dhe patën deklaruar, e abstenuan atë. Kështu me 73 vota pro dhe 55 abstenim, i hapet rruga zbatimit të ligjit të ri të pronave. Ndërkohë që ligjvënësit kanë votuar në unanimitet ligjin që i jep të drejtë EULEX-it të hetojë në vendin tonë lidhur me akuzat e Dick Marty.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›