E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Anduen Xhindi merr mandatin e deputetit

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën plenare të radhës. Senaca e sotme nisi me betimin e Anduen Xhindi, djalit të deputetit të vrarë të PS-së Fatmir Xhindi. Anduen Xhindi merr mandatin e deputetit në Kuvend, pasi deputetja e PS-së Ermelinda Meksi u emërua si anëtare e Këshillit të Bordit të Bankës së Shqipërisë.

Kuvend, sot në fokus reforma zgjedhore dhe ligjet me 3/5
Kuvendi në seancën e sotme plenare pritet të miratojë projektvendimin "Për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore", si dhe dy projektligje që lidhen me ndryshimet në kodin hekurudhor dhe kodin ajror.

Marrëveshja dypalëshe PD-PS e 14 nëntorit për çështjet e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar, pritet të konkretizohet sot në Kuvend me votën konsensuale për ngritjen e komisionit të posaçëm zgjedhor dhe disa ndryshimeve ligjore në kodin ajror dhe kodin hekurudhor, këto të fundit të miratuara më parë në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese.

Në axhendën e sotme të parlamentit, krahas këtyre pikave, pritet të shqyrtohen dhe p/ligjet "Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore" dhe ai "Për Bankat në Republikën e Shqipërisë", si dhe dy interpelanca: ajo me Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputetja e PS-së, Arta Dade dhe interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, kërkuar nga deputeti socialist Eduard Shalsi.
(el,ma/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›