Monti shpall sot qeverinë e re: Ministrat e kabinetit, të gjithë teknokratë
Kryeministri i emëruar i Italisë do t’i paraqesë presidentit Napolitano emrat e kabinetit të tij. Siç është rënë dakord edhe me Berluskonin, qeveria do të jetë teknike, jo politike
Kryeministri i ri i Italisë, Mario Monti do t’i paraqesë sot presidentit Napolitano përbërjen e qeverisë së re. Pas përfundimit të negociatave me partitë politike, Monti u shpreh i bindur se qeveria e re do të ndërtojë institucione të qëndrueshme. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i dalë prej negociatash mes palëve deklaroi se qeveria e tij do të jetë tërësisht teknike dhe jo politike, ashtu siç kishte kërkuar edhe partia e drejtuar nga ish-kryeministri Berluskoni, e cila i dha miratimin qeverisë së Montit. Marrëveshja në parim me forcat kryesore politike në Itali për formimin e qeverisë së re duket se është arritur në këtë mënyrë. Kryeministri i emëruar i Italisë, Mario Monti, pritet që nesër paradite rreth orës 11:00 të bëjë të ditur emrat e ministrave të qeverisë së re. Konsultimet e Montit me partitë kryesore kanë përfunduar dhe pas mbështetjes së plotë të dhënë nga Partia Demokratike Italiane dhe Partia Populli i Lirisë, kryeministri Monti pritet t’i dorëzojë presidentit Napolitano listën me emrat e ministrave që do të jenë pjesë e qeverisë së tij. Vetëm një parti, ajo e Ligës së Veriut ka deklaruar se nuk do të japë mbështetje për qeverinë Monti, ndërsa Anxhelino Alfano i qendrës së djathtë, Populli i Lirisë u shpreh se përpjekjet e profesor Montit do të sjellin rezultate të mira. Po ashtu, edhe lideri i Qendrës së Majtë, i Partisë Demokratike, Pier Luixhi Bersani deklaroi se inkurajonte profesor Montin që të çonte përpara planet e tij me vendosmëri. E ndërsa Italia bëhet gati të udhëhiqet prej një qeverie teknokratësh, kostoja e huamarrjes së Italisë është rritur përtej kufirit të rrezikshëm të 7%, duke e vendosur kryeministrin e sapozgjedhur, Mario Monti, nën një presion të madh ndërkombëtar. Bonot e thesarit të Italisë kanë arritur normën rekord prej 7,48%, tregues i qartë i nervozizmit të tregjeve botërore mbi borxhet italiane. Ish-komisioner i Konkurrencës në Bashkimin Europian, është shprehur se do të veprojë me “urgjencë” për të korrigjuar problemet e vendit të tij, edhe pse ka bërë të qartë që do të duhet kohë për të zgjidhur të gjitha problemet. Qëllimi i Romës zyrtare është të nisë të reduktojë borxhin prej 120% të PBB-së, duke nisur nga viti i ardhshëm. Sipas planit të miratuar mbi reformat, do të kursehen 60 miliardë euro në tri vitet e ardhshme nga shkurtimi i investimeve dhe rritja e taksave. Për momentin, Greqia, Irlanda dhe Portugalia paguajnë gjithashtu një normë më të lartë interesi se 7% për huatë e marra. Duke iu referuar Italisë, borxhet kryesore të së cilës janë marrë në bankat gjermane dhe franceze, një zyrtar i lartë i qeverisë së Parisit shkruante: “Po e ndjekim me shumë vëmendje situatën italiane dhe duam që të ndihmojmë, por nuk do të ketë më falje borxhesh si në rastin grek, pasi edhe në këtë rast bankat bënë një sakrificë të madhe”.