E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta largohet zyrtarisht nga presidenca, Presidenti Begaj i drejtohet kombit

Pas dorëzimit të detyrës Presidentit Bajram Begaj, dhe përshëndetjes me pasardhësin e tij, Ilir Meta është larguar zyrtarisht nga Presidenca. Presidenti Bajram Begaj, pas marrjes zyrtare të detyrës, si dhe dorëzimit të Kushtetutës nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, i është drejtuar popullit me një fjalim, duke vënë theksin tek uniteti kombëtar, lënia mënjanë e ndasive të klasës politike, në kohën që Shqipëria ka hapur negociatat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Presidentit, sot ai u betua për besnikëri ndaj Kushtetues dhe ligjeve të vendit, për të mbrojtur pavarësinë e Republikës.

“Dëshiroj të falenderoj presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës, komunikimin që patëm gjatë kohës që ushtrova detyrën. Do të jem shërbëtor i popullit tonë, bashkëpunëtor i palëkundur i unitetit kombëtar. Do të jem kontribuues dhe përkrahës i komunikimit dhe nismave e ideve që çojë përpara shoqërinë tone. Dialogu dhe bashkëpunimi midis forcave politike, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit, mundësojnë që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për vendin. Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve që kanë përgjegjësi për të mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot, më shumë se kurrë, kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike për të arritur objektivat kombëtar. Do të mbështes çdo veprim për të arritur marrëdhënie të shëndosha midis institucioneve kushtetuese. Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi. Jo thjesht se është kusht thelbësor për anëtarësimin në BE, por edhe se ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, garanton luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në Drejtësi, me ndihmën e aleatëve tanë strategjikë, po  jep frytet e saj. E gjej të udhës të ritheksoj se miqtë tanë te Shqipëria e shqiptarët do të gjejnë kurdoherë partnerin e tyre të mirëbesuar. Mbajta e konferencës së parë ndërqeveritare me BE, është një arritje e madhe, mëse e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët. Kjo ngjarje shënon vetëm fillimin e një kapitulli të ri, ku duhet të jemi të gjithë bashkë, krah për krah. Shqipëria dëshmon se edhe popujt e vegjël kontribuojnë në sigurinë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Njëzëshmëria e popullit shqiptar për mbrojtjen e popullit ukrainas tregojnë se ne jemi bashkë për kauza të mëdha. Angazhimi ynë në NATO e bën Shqipërinë më të fortë, më të qetë dhe më të sigurte. Por lufta në Ukrainë bën të qartë se siguria dhe paqja nuk sigurohen, por fitohen”, theksoi Presidenti në fjalën e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›