Kuvend, PD rrëzon kandidaturat e Topit
Rikthehet konflikti Presidencë-Mazhorancë. PD ka votuar kundër dy kandidaturave për anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës
Rikthehet edhe një herë në plan të parë konflikti Presidencë-Mazhorancë. Shumica e djathtë parlamentare ka refuzuar të votojë pro, duke mos zgjedhur asnjë prej dy kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës, duke përsëritur në këtë mënyrë precedentin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Nuk dihet nëse ky ka qenë produkt i një vendimi politik i kësaj shumice si shenjë mospajtuese me procedurat e ndjekura nga kreu i shtetit, por është fakt se shumica e deputetëve të djathtë kanë votuar kundër këtyre dy propozimeve, pasi njëra kandidaturë arriti të marrë vetëm 39 vota pro, ndërsa tjetra duke marrë mbështetjen edhe të deputetëve të majtë mori 52 vota, por pa mundur të shpallet fituese.
Votimi
Kuvendi nuk ka mundur dot dje të zgjedhë anëtarin e ri të Autoritetit të Konkurrencës. Kandidaturat e Engjëll Shkrelit dhe Burhan Malevit s’kanë marrë dot shumicën e nevojshme të votave për t’u kualifikuar si fitues të vendit vakant të inspektorit të këtij institucioni. Nëpërmjet votimit të fshehtë elektronik Kuvendi ka votuar fillimisht për kandidaturën e Burhan Malevit, i cili ka arritur të marrë një shumicë të konsiderueshme votash kundër, plotë 57 të tilla, ndërsa ka mundur të sigurojë vetëm 39 vota pro. Më pas seanca në bazë edhe të rregullores së Kuvendit ka vijuar me votimin e kandidaturës së ish-ministrit socialist të Integrimit, Engjëll Shkrelit. Ai ka mundur të sigurojë shumicën e votave por pa mundur të shpallet fitues. Shkreli ka marrë 52 vota pro 43 jo dhe 15 abstenime. Por pavarësisht se kandidatura e tij siguroi shumicën e votave, kryetarja e Kuvendit ka pezulluar shpalljen e tij fitues, pasi asistentët e saj ligjorë kanë vlerësuar si të pamjaftueshme votat e marra pro, pasi ato nuk përbëjnë shumicën e numrit të deputetëve që marrin pjesë në votim. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit ka vendosur që t’ia lërë gjykimin për këtë rast Sekretarit për Procedurat dhe Votimet, që funksionon pranë Byrosë së Kuvendit. Por më shumë se vetë dështimi i zgjedhjes së anëtarit të ri të këtij institucioni, rëndësi këtë rast ka qëndrimi kundërshtues që mbajtën deputetët e djathtë ndaj propozimeve të kreut të shtetit, të cilët në të dyja rastet votuan kryesisht kundër. Kjo është goditja e dytë që mazhoranca i jep Presidentit Topi, pasi gjatë muajit qershor ajo i rrëzoi atij dhe kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
ILDKP-ja
Ky nuk ka qenë votimi i vetëm dje në Kuvend, pasi gjatë kësaj seance u zgjodh dhe kryetari i ri i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kuvendi miratoi me shumicë të theksuar votash kandidaturën e Adriatik Llallës në postin e kryetarit të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKP). Ai arriti të marrë 91 vota pro dhe 3 abstenime, çka tregon se ka gjetur mbështetjen e të dyja palëve si të pozitës ashtu edhe opozitës. Ndërkohë miratimi i kandidaturës së tij ka bërë të panevojshme hedhjen në votim kandidaturën e Bashkim Dedes. Llalla ka shërbyer më parë si prokuror në rrethet Lushnjë, Kavajë, Fier dhe Tiranë, ndërsa në periudhën 2006-2008 ka qenë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë. Ai zëvendësoi në këtë post Fatmira Laskajn, të cilës i mbaroi mandati disa muaj më parë.