Drafti, si do financohen partitë politike
TIRANË- Më në fund, komisioni për reformën zgjedhore ka miratuar kapitullin e shumëpërfolur për financimin e partive politike. Drafti i përgatitur sqaron në mënyrë të detajuar shpërndarjen e fondeve publike për subjektet zgjedhore, financimin e subjekteve zgjedhore nga fondet jopublike si dhe regjistrimin e fondeve jopublike. Sipas draftit të miratuar, sasia e fondeve publike që iu shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhore caktohet me vendim të KQZ-së, duke u bazuar në disa rregulla të mirëpërcaktuara.
Financimi
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara,ku 50 për qind e shumës së fondeve publike ndahej ndërmjet partive politike parlamentare dhe jo parlamentare, kësaj here nga kjo shumë do të përfitojnë vetëm partitë parlamentare. Pra siç cilësohet në draftin e përgatitur, 50% e shumës do të ndahet ndërmjet partive politike që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumëemërore për çdo njësi zgjedhore. Raundi i dytë në draftin e përfunduar citon se 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 3 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Nga kjo ndarje e dytë në zgjedhjet e ardhshme nuk përfitojnë nga fondi PDS e Paskal Milos dhe PBL e Arjan Starovës. Partia që ka përfituar fonde publike sipas kësaj pike, dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Partitë në fjalë, në rast se nuk kthejnë fondet, humbasin të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Në rast se ato kthehen, fondet në fjalë, iu rishpërndahen partive politike të cilat kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës.
Financimi nga fondet jopublike
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të lejohet që subjektet zgjedhore të marrin fonde nga shtetas të huaj. Kështu anëtarët e komisionit për reformën zgjedhore kanë përcaktuar qartë se subjektet zgjedhore mund të marrin për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendës. Në qëllim të këtij Kodi, do të konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Ndalohet gjithashtu dhënia e fondeve nga njëperson juridik apo çdo aksioner i tij, përveç rasteve kur aksioneri i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike, sipas disa kushteve të përcaktuara paraprakisht.
Shpenzimi i një partie, jo më shumë se 10% fondit
Për herë të parë në Kodin e ri Zgjedhor do të sanksionohet edhe shuma që një parti politike duhet të shpenzojë për një fushatë zgjedhore. Në draftin e përgatitur thuhet se shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi. Detyrimet e parashikuara në këtë nen vlejnë edhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit të regjistruar. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga zgjedhësit nuk duhet të kalojë 50 për qind tëshumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.
Zgjedhjet, ndalohet administrata në fushatë
TIRANË- Në draftin e përgatitur sqarohet se me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje, burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dheemëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit apo pronësia. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në Kodin Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Që do të thotë ndalohet përdorimi i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore.
Sasia e fondeve publike që iu shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhor caktohet me vendim të KQZ-së sipas rregullave të mëposhtme:
a) 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumëemërore për çdo njësi zgjedhore.
b) 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 3 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare sipas vendimit të KQZ për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Subjektet zgjedhore mund të marrin për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendës. Për qëllim të këtij Kodi, do të konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.