E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Prifti voton ligjet e maxhorancës: Me rëndësi

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, voton në favor të maxhorancës.Pas një mungese prej mjaft seancash, deputeti pa imunitet votoi dje të gjitha projektligjet në Kuvend, ndryshe nga deputetët e tjerë të PS-së që bojkotuan votimin. Ish-ministri dha votën e tij pro për tri projektligje, konkretisht për kredinë austriake për spitalet dhe për marrëveshjen mes qeverisë e komunitetit fetar “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë”. Deputeti votoi abstenim projektligjin për fshatrat turistikë, tepër të debatuar dje në seancë plenare. Këtë votim, deputeti i pavarur e konfirmoi për gazetën “Panorama”, duke thënë se “ishin ligje të nevojshme. Pajisje për spitalet, kredi të buta etj. Ndërsa ligjin për turizmin, abstenova”. Me këtë votë, Prifti i dha një ndihmë dje maxhorancës, e cila në sallë kishte 72 deputetë, pasi kryeministri Berisha dhe deputeti i LSI-së, Lefter Koka, mungonin.
Aktualisht pa imunitet dhe nën hetim nga Prokuroria, Prifti duket se nuk e quan veten më pjesë të opozitës. Ai pati kërkuar edhe hyrjen në grupin parlamentar të PS-së, por duket se zhvillimet e fundit kanë ndikuar që ish-ministri të mos pranohet nga socialistët. Dje në seancë, deputeti Prifti u ul veçmas në sallë, në fund të saj dhe në krahun e përcaktuar për deputetët e maxhorancës. Ai qëndroi i ulur vetëm, ndërsa dy rreshta para kishte kreun e LSI-së, Ilir Meta.
Vetëm disa javë më parë, kur Prokuroria ende nuk kishte kërkuar imunitetin e tij për hetim, ish-ministri mori pjesë në tryezën e opozitës së bashkuar. Ai reagoi pas mbledhjes duke thënë se kishte kërkuar zyrtarisht të pranohej në grupin parlamentar të PS-së. “Prej sot jam pjesë e tavolinës së opozitës dhe do bashkëpunoj pa asnjë ngurim, pasi nuk mund të vazhdoja më me LSI-në. Në ditët e ardhshme do bëj një kërkesë zyrtare për t’u bërë pjesë e grupit të Partisë Socialiste”, do të deklaronte Prifti. Por vetëm pak ditë më pas, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi kërkesën në Kuvend për heqjen e imunitetit të Priftit dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, i përgjuar nga ish-ministri i Ekonomisë në zyrën e tij. Prokuroria do të akuzonte Priftin se ka marrë një shumë prej 70 mijë eurosh nga ish-zëvendësi i tij në ministri, dhe këtë e faktonte në një video të përgjuar nga ai vetë. Videoja u rikuperua nga eksperti amerikan që Prokuroria kishte marrë për ndihmë në ekspertizë, i cili arriti të rigjejë videon e fshirë. Vetë ish-ministri do të pohonte në mbledhjen e Këshillit të Mandateve e Imuniteteve se ai kishte bërë përgjimin me ish-zëvendësin e tij. Por Prifti u shpreh se përgjimi është në favor të akuzave të ngritura ndaj ish-zëvendëskryeministrit dhe kryetarit të partisë së tij, Ilir Meta.

Kuvendi i ri

Kuvendi do të hapë sot ofertat e ardhura nga studiot e huaja për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ku sot ndodhet Piramida. Mësohet se ky aktivitet do të bëhet sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Janë disa kompani të huaja që kanë paraqitur moketet e tyre për Parlamentin e ri. Në këtë aktivitet janë ftuar të marrin pjesë personalitete të fushave të ndryshme, përfaqësues të mediave, analistë etj.

Rregullorja

Seanca ka vijuar në fund të saj me diskutimet e lira prej 1 ore nga deputetët e të dyja palëve. Ashtu si herën e parë, deputetët e PD-së lanë në masë sallën e Kuvendit, duke qëndruar vetëm pak prej tyre, kryesisht ata që kishin kërkuar të flisnin. Ndërkohë, deputetët e PS-së qëndruan në sallë deri në fund të saj, ndonëse nuk morën pjesë në votim.
Deputetët diskutuan për imunitetin si dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit.

PS: Materialet zgjedhore, në zyrën e Ristanit

Deputetët e PS-së lëshuan dje akuza ndaj KQZ-së, duke thënë se ka zhdukur provat e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas deputetëve Erjon Braçe dhe Arben Ahmetaj, KQZ-ja ende nuk ka dërguar materialet në Arkiv të Shtetit. “Sot ne provuam se materiali zgjedhor, listat e zgjedhësve, procesverbalet për çdo qendër votimi e KZAZ nuk ndodhen të depozituara në Arkivin e Shtetit, por në ambientet e KQZ-së, madje edhe brenda zyrës së kryetarit të KQZ-së. I gjithë ky proces përpunimi ka ndodhur larg syve të mediave”, tha Ahmetaj.

ERALD KAPRI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›