Kuvend, debate për financimin e autostradës Levan-Vlorë. Olldashi: Opozita të hetojë

Parlamenti u përfshi nga debatet mbi marrëveshjen financiare shtesë prej rreth 18 milion eurosh qe BERZH jep për finalizimin e rrugës Levan-Vlorë, 98% e së cilës është ndërtuar. Deputetët socialistë, folën për abuzime dhe e cilësuan të pajustifikueshme koston shtesë për këtë projekt. Ministri i Punëve Publike, Olldashi deklaroi se kjo është faturë e projektit të hartuar nga socialistët, nuk ka abuzime dhe se opozita ftohet të kontrollojë çdo kosto dhe dokument.
Opozita shfrytëzoi debatet për këtë projekt rrugor për ta cilësuar qeverinë të dështuar, por në emër të qeverisë Olldashi përmbysi panoramën e socialistëve, duke folur për rezultate konkrete.
“Investimet janë aty, janë të verifikueshme. Nuk ka shteg për dyshime. Të gjitha dokumentet i keni në dispozicion për t’i hetuar”, tha ai.
Autostrada, Levan-Vlorë, duhet të përfundonte rreth 2 vjet më parë, por projekti ndryshoi, për shkak të disa korrigjimeve që iu bënë. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 24.2 km dhe do të lejojë një shpejtësi maksimale prej 110 km ore, duke shmangur rrezikun e daljes nga autostrada. Së bashku me vlerën shtesë të miratuar në komision, vlera totale e rrugës është 59.7 mln euro. Sipas Propozimit për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese në marrëveshjen e huas vlera fillestare e kontratës nga 41.9 milionë euro ndryshon në 59.7 milionë euro për ndërtimin e një autostrade, sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ekspertë të ministrisë së Transportit sqaruan se kostoja shtesë prej 18 milionë euro e kësaj rruge, orientohet për të ndryshuar projektin, e parë, i cili kishte mangësi. Opozita shfrytëzoi debatet për këtë projekt rrugor për ta cilësuar qeverinë të dështuar, por për mazhorancën rezultatet janë të prekshme. Kreut i transporteve foli për investime konkrete edhe në qarkun e Vlorës dhe bëri të njohur se autostrada Levan –Vlorë është realizuar në masën 98%.