Rekomandimet, Sannino takon kryeministrin Berisha

Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino është pritur sot në takim nga kryeministri Sali Berisha.
Sannino i shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi është takuar në kryeministri me shefin e qeverisë ndërsa rreth orës 19:00 do të takohet edhe me Zv.kryeministrin dhe njëherësh me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto.
Vizita që Sannino zhvillon sot është e treta brenda pak muajve në Tiranë. Zhvillimet politike në vend, si edhe plotësimi i 12 rekomandimeve të kërkuara nga BE-ja për integrimin e vendit janë qëllimi kryesor i vizitës së tij në vendin tonë.
Vizita e Sanninos në Tiranë vjen vetëm pak muaj nga vjeshta e “artë”, periudhë kjo kur Shqipëria do të marrë notën nga 27 vende të BE-së, për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.