E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, diskutime për varrezat e makinave

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me diskutimet për projektligjin për varrezat e makinave.
 

Deputetët e Partisë Socialiste kanë theksuar se projektligji nuk është i qartë pasi nuk shpjegon nëse shumica e aksidenteve shkaktohen pikërisht prej këtyre varrezave buzë rrugës.
 

Deputeti i PS-se, Arben Malaj, ka kërkuar qartësime për aktin normativ dhe pikat e përcaktuara në projektligj. Ndërsa Zëvendësministri i mjedisit Taulant Bino ka deklaruar se akti normativ ka nevojë për akte të tjera nenligjore, dhe bëhet fjalë për një udhëzim që parashikon evidentimit, konfiskimin, transportin dhe shitjen e mjeteve.
 

“Ministria e Mjedisit mes inspektoriatit ka organizuar kontroll në terren për të gjitha pikat e varrezave të automjeteve dhe ka lënë aktet e kontrollit, duke parashikur që për çështjet e konfiskimit të hyjë në fuqi pas një muaji”- tha Bino.
 

Ndërsa ministri i transportove Sokol Olldashi ka theksuar se u është lënë kohë pronarëve të varrezave të makinave t`i transportojnë në vende të tjera dhe vetëm nëse kjo nuk bëhet atëherë do të veprohet.

“Ne nuk shkojmë me mjet konfiskimi, po u themi të shkojnë diku gjetkë ku nuk përbëjnë problem as për transportin, as për mjedisin”- ka theksuar Olldashi.
 

Ndërkohë në seancë e sotme pritet që kryeministri Sali Berisha të dalë në një interpelancë . Kreu i qeverisë është thirrur në këtë përballje parlamentare nga deputeti socialist Erjon Braçe.

Në seancën e sotme parlamentare pritet të ketë edhe një tjetër interpelancë, ku deputetja e PS-së Mimi Kodheli ka thirrur ministrin e financave, Ridvan Bode.

Kjo është hera e parë që Kryeministri Berisha pas zgjedhjeve të 2009 pranon të dalë në interpelancë me deputetët e opozitës. Raportimi i vetëm i Berishës para Kuvendit ka qënë ai për ngjarjet e 21 janarit, në të cilën mungonte në sallë opozita.

Ndërkohë në rendin e ditës janë futur sërish ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave, ku një ndër ta është ligji për Gjykatën Administrative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›