E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, një minutë heshtje për Klosin

Ardian Klosi

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të kujtimit të Ardian Klosit me kërkesë të deputetes socialiste, Valentina Leskaj. Shqipëria, është shprehur Leskaj, ka humbur jo vetëm një ndër intelektualët e shquar të botës shqiptare, por edhe një nga kontributorët e ditëve të para për demokraci.

Ditë më parë u nda nga jeta në mënyrë tragjike një ndër intelektualët e shquar të botës shqiptare, Ardian Klosi. Shqipëria humbi një prej personaliteteve që u shqua si historian, përkthyes, publicist. Ardian Klosi njihet si një nga kontributorët e ditëve të para për demokraci përfshirë edhe  kontributin e tij në gazetën e parë opozitare, në cilësinë e anëtarit të Këshillit Botues të sajë. Ai mbetet një kontributor i vijës së parë të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut, të mjedisit e të kulturës shqiptare. Për këto arsye i kërkoj Parlamentit të mbajë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të tij,” tha Leskaj. /F.S/

*    *    *

Mesazhi i fundit i Ardian Klosit: Eshtë bekim të ikësh i qetë nga kjo botë

Dashamir Biçaku

TIRANE- Është bekim të ikësh i qetë nga kjo botë. Kaluam shumë bukur, por unë nuk mund të vazhdoj më, kur të kthehesh eja pa vajzën…. Ky është teksti i mesazhit telefonik që publicisti, shkrimtari përkthyesi dhe gazetari Ardian Klosi i dërgoi të enjten në mbrëmje bashkëshortes së tij fotografes së njohur me origjinë gjermane Juta Bezenberg (Jutta Bezenberg), pak kohë përpara se ai të vetëvritej në banesën e tij në zonën e njohur me emrin Liqeni i Thatë, pranë liqenit artificial.

Pikërisht ky mesazh i dërguar nga Ardian Klosi, në telefonin e bashkëshortes së tij dhe që ndodhej edhe i ruajtur në telefonin e publicistit, është administruar nga hetuesit në cilësinë e provës bashkë me telefonin. Pasi lexoi këtë mesazh, bashkëshortja e Klosit, mësohet se i ka telefonuar atij, por Klosi, nuk është përgjigjur. Kjo e fundit sipas një fqinjeje kishte qenë duke marrë vajzën e vogël, nga shkolla pasdite vonë, ndërsa pasdite me Klosin deri disa orë përpara ngjarjes ai kishte qenë me aktorin e njohur të skenës dhe filmit shqiptar Timo Flloko, me të cilin kishte folur për disa përkthime dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Shpresa, një grua rreth 55 vjeç e cila banon në një vilë përballë asaj të familjes Klosi, tha dje për Shekullin, se i kishte parë dje në mesditë krejtësisht normalisht Klosin dhe bashkëshorten e tij, Jutën. Rreth orës 20:00, ajo kishte dalë nga shtëpia dhe kishte shkuar të merrte vajzën e tyre të vogël që nuk ishte në shtëpi. Sipas Shpresës në këtë kohë e kishte telefonuar Juta, e cila ishte e tronditur ndërsa i kërkonte që të shkonte në shtëpinë e saj të shikonte për bashkëshortin Ardianin.

Ajo më mori në telefon. Dukej që ishte e tronditur dhe po më kërkonte që të shkoja të kontrolloja në shtëpinë e tyre për Ardianin. Më ka dërguar një mesazh dhe kam frikë se mos ka bërë ndonjë gjë të keqe. Kemi thuajse 15 vite që jetojmë këtu dhe njihemi mirë me ta. I thirra burrit dhe shkuam në shtëpi. Në fillim e patëm problem sepse nuk kishte dritë ishte errësirë. Më pas ndezëm dritat në shtëpi dhe nisëm të kontrollonim. Nuk arrinim ta gjenim,- tregoi fqinja, Shpresa.

Më tej sipas saj, pas pak kohësh në shtëpi mbërriti, Juta bashkë me vajzën. Gruaja tregon se kishin kërkuar në të gjithë shtëpinë por nuk arrinin ta dallonin. Më tej, fqinja shton se kishin dalë të kërkonin në zonën për rreth dhe dyshonin se mos ishte mbytur në liqen. Pasi kërkuan disa kohë, ajo sqaron se ishin kthyer në shtëpi. Sapo hymë në shtëpi, ndezëm dritën Juta, pa Ardianin nga pas derës nëpërmjet xhamit, në pjesën e bodrumit, aty ku lidhet dhoma e gjumit me atë të ndenjes. Menjëherë ulëriti: Ardiani, Ardiani. Ai kishte qenë thuajse gjatë gjithë kohës, aty por ne nuk kishim arritur ta shihnim, sepse ai kishte qenë pas derës aty ku është një nga trarët e vendosur në mes të shtëpisë. Mbetëm të shokuar, nga ajo që pamë. Juta më tregoi se Ardiani i kishte kërkuar asaj që të mos e çonte vajzën në shtëpi atë natë. Duket se kishte vendosur atë që do të bënte.

Gruaja tregon se më pas se policia nisi veprimet e saj në vendin e ngjarjes. Hetimet e para të policisë në lidhje me ngjarjen konfirmuan se Klosi duhet të ketë ndërruar jetë, shumë shpejt pasi i ka dërguar mesazhin e tij  Jutës. Në orët e para të ditës së djeshme, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, trupi i pajetë i studiuesit u dërgua në morgun e Tiranës, ndërsa ekspertët përcaktuan si orë të mundshme të vdekjes së tij përafërsisht orën 8:30. Ceremonia e varrimit të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit dhe aktivistit të shoqërisë civile, pritet të kryhet sot në orën 14:00, pranë banesës së motrës së tij, Mirës në rrugën Prokop Myzeqari, pranë lagjes së njohur me emrin e rrugës Fortuzi.

Në përkujtim të Ardian Klosit

Në përkujtim të publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur Ardian Klosi, po ju sjellim reagimet e disa prej personaliteteve të rëndësishme shqiptare. 

Ardian Vehbiu: E kujtoj me librat e ndaluar…

E kujtoj me libra të ndaluar, ironi, melankoli dhe këngët e Beatles. Ishte nga ata njerëz që vijnë gjithnjë të paktë dhe që kërkojnë vëmendje e kujdes, si çdo pasuri tjetër kombëtare; vëmendje dhe kujdes që jo gjithnjë ia dhamë. Me përpjekje të palodhura dhe energji të habitshme, ia doli që të krijojë një hapësirë të vetën, në kulturën shqiptare, për të cilën të gjithë do ti jemi mirënjohës: si publicist, si shkrimtar, si kritik letrar, si përkthyes, si botues, si njeri i kulturës, si protagonist betejash të shoqërisë civile. Nuk e zëvendësojmë dot, veç mund ta kujtojmë tani me pikëllim. Herën e fundit e kam takuar në Tiranë, në vjeshtë të vitit që shkoi; ishte i lënduar nga disa brenga në familje, por megjithatë planet për të ardhmen i kishte të shumta: përkthime, botime, një panair të ri libri në Pranverë. Nuk dua të përmend këtu shkakun e vdekjes vdekja vjen e njëjtë, pavarësisht nga çfarë na e afron. Mbushem me maraz të parrëfyer, kur mendoj që mund të kishim bërë diçka më tepër, që unë vetë mund të kisha bërë diçka më tepër, për ta parandaluar kobin- por as për këtë nuk duhet folur.  Përkundrazi, dua ta kujtoj Dan Klosin siç e mbaj mend nga vitet e dikurshme, me libra të ndaluar, ironi, melankoli, këngë të Beatles-ve, shirita magnetofoni dhe një garanci se jo gjithçka në Tiranën tonë të atëhershme, të viteve të këqija 1980, kishte degraduar. Jetoj larg Shqipërisë, që tani mu bë edhe më e largët, sikur natës që kemi në mes ti shtohej edhe një orë ose fundja edhe vetëm një minutë. Me Dan Klosin më lidhnin kujtimet e pashlyeshme të një periudhe tjetër, krejt heroike deri edhe në meskinitetet e veta; por edhe plane për të ardhmen, të shumta dhe aq motivuese, të paktën për mua. Më dhemb dhimbja e vajzave të tij dhe e motrave, me të cilat më lidh gjithashtu miqësi e vjetër. Nuk e përfytyroj dot si mund të

përballohet ikja kaq e papritur dhe e padrejtë, nga jeta jote, e një njeriu kaq të rrallë dhe të mrekullueshëm, që ndriçonte me mendjen dhe zemrën.  Requiesce in pace, mik i dashur.

 

Mustafa Nano: Kultura duhet të vajtojë për ikjen e Klosit

…Dani ishte (dhe është) një njeri i kulturës, një punëtor i kulturës shqiptare, një njeri që kish instinktin e kërkimit e të thellimit në gjërat që studionte. I mungonte kontakti me vulgun, me rrugën, me ambientet jo akademike, dhe kjo së pari e bënte të dukej i pambrojtur

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›