E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, politika përplaset për ambasadorët

Opozita i shkruan Presidentit. PD: është përgjegjësia e Ministrisë së Jashtme

Mazhoranca dhe opozita “përplasen” në Komisionin e Politikës së Jashtme për kandidaturat e ambasadorëve shqiptarë në SHBA dhe Misionin e OSBE-së në Vjenë. Demokratët ia hedhin përgjegjësinë Ministrisë së Jashtme për kthimin e kandidaturave për ambasadorë për herë të dytë në komision, ndërsa socialistët pas debateve të ashpra në komision paralajmërojnë se do i paraqesin Presidentit Bamir Topi opinionin e tyre mbi atë çka po ndodh në Komisionin e Jashtëm lidhur me kandidaturat nëpërmjet një letre me shkrim. Burime pranë këtij komisioni bëjnë me dije se kryetari Fatos Beja dhe nënkryetarja e këtij komisioni, Arta Dade, edhe pse kanë vlerësuar figurat e diplomatëve, kanë qenë dy protagonistët kryesorë që kanë ngritur zërin dje lidhur me propozimet që kanë ardhur nga Ministria e Jashtme dhe mënyrën sesi kjo ministri po procedon lidhur me kandidaturat. Kandidatura e Spiro Koçit ka respektin e dy krahëve politike, por mënyra se si vepron Ministria e Jashtme, duke e detyruar Komisionin e Jashtëm të votojë dy herë për të njëjtën kandidaturë por në ambasada të ndryshme, ka vënë në vështirësi deputetët dhe ka ndezur replikat në komision. Duket se emërimi i ambasadorëve të rinj në vende të huaja është kthyer në një lojë ngriva-shkriva me protagonistë qeverinë, Kuvendin dhe Ministrinë e Jashtme. Kuvendi ka një rol të distancuar nga kjo ‘lojë’, pasi detyra e tij është vetëm të marrë në seancë dëgjimore diplomatët dhe të dërgojë emrat për dekretim në Presidencë. Loja më e fortë duket se po bëhet brenda llojit, çka po shkakton edhe precedentë të kësaj kategorie. Ajo që nuk thonë hapur deputetët e PS-së është respekti që ata kanë për ambasadorët e rinj, por edhe prapaskenat e një skenari të ri politik. Opozita ‘mbyll gojën’ për mediat, por vërejtjet e socialistëve lidhur me kandidaturat do t’i bëhen të ditura kreut të shtetit nëpërmjet një shkrese. Pas raportimit të dy diplomatëve, Spiro Koçit dhe Dylber Galanxhit, dyert e Komisionit të Jashtëm janë mbyllur për mediat. “Nuk është rasti i parë dhe as i fundit. Kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Jashtme. Kandidaturat edhe mund të ndryshojnë rrugës. Ne miratojmë atë që na vjen”, thotë deputetja e PD-së, Lajla Përnaska. Deputetja Përnaska ka vlerësuar kandidaturën e Spiro Koçit edhe pse është rikthyer për herë të dytë në Komisionin e Jashtëm, këtë herë jo në ambasadën e SHBA-së, por në Misionin e OSBE-së në Vjenë. Sipas Përnaskës, diplomati Koçi ka eksperiencë në OSBE. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, duke komentuar rikthimin e kandidaturave për herë të dytë nga Ministria e Jashtme, specifikon se “ka një ndryshim të qëndrimit te Ministria e Jashtme dhe për këtë, këtë herë zotin Koçi e kemi si kandidaturë për ambasadorin tonë në misionin e OSBE-së në Vjenë”. Në rolin e kryetarit të këtij komisioni, Beja thotë se Kuvendi e shikon kandidaturën e një diplomati si një figurë që vlen apo jo dhe më pas jep vlerësimin dhe jo votën, për t’ia paraqitur atë një tjetër institucioni. I pyetur për rrëzimin e kandidaturës së Spiro Koçit si ambasador i SHBA-së, kryetari i Komisionit të Jashtëm ngre supet, duke thënë se “s’e di nëse ndryshimi i kandidaturës është bërë pasi ka shkuar emri në Presidencë, apo përpara se të shkojë atje. Unë di që ne japim vlerësimin dhe nuk votojmë”. Gilbert Galanxhi deri tani përfaqësonte vendin tonë në OSBE, e tashmë pritet të jetë ambasadori i ri shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shkon aty me prioritet kryesor liberalizimin e vizave. Ambicia e madhe e kandidatit për ambasador që kaloi për shqyrtim në komisionin e Politikës së Jashtme vjen si frymëzim për shkak të pritshmërisë për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në BE brenda këtij viti. Galanxhi do të jetë ambasador jorezident edhe për Meksikën, Republikën e Panamasë dhe në Republikën Dominikane, ndërkohë në vend të Galanxhit pranë OSBE-së propozohet për ambasador Spiro Koçi. Në seancën dëgjimore ai deklaroi se gjatë qëndrimit në këtë detyrë do ta paraqesë Shqipërinë më aktive në këshillin e përhershëm si organi më me rëndësi i OSBE-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›