Ugandë, mbi 70 të vdekur nga shpërthimet me bombë
Më shumë se 70 veta humbën jetën në shpërthimet që kanë goditur kryeqytetin e vendit, Kampala, gjatë kohës së finales së botërorit, ndërsa policia sugjeron se prapa sulmeve mund të jenë militantë somalezë, të cilët kanë lidhje me Al-Kaedën. Shefi i policisë së Ugandës, gjeneral major Kale Kayihura, duke folur për BBC-në tha se sulmet kishin për qëllim të vrisnin sa më shumë vetë. “Incidenti i parë ndodhi në orën 10.00 sipas orës lokale, që ishte nga mesi i ndeshjes së finales së botërorit. Kishte më shumë se 100 veta duke parë këtë ndeshje. Kishte shumë të vdekur dhe të plagosur. Pastaj, rreth gjysmë orë më vonë ndodhi shpërthimi i dytë në një klub Ragbi, ku kishte edhe më shumë njerëz, tha shefi i policisë së Ugandës, Kale Kayihura. Ai u bëri thirrje njerëzve të ruajnë qetësinë dhe tha se sulmet nuk do të ndikojnë në mbajtjen e takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Afrikan nga 19 deri më 27 korrik. Shumë udhëheqës afrikanë pritet të marrin pjesë në takim. Presidenti i Ugandës, Yuweri Museveni, tha se terroristët duhet të luftojnë me ushtarët dhe jo me njerëzit, të cilët thjesht po shikonin një ndeshje futbolli. Dyshimet kanë rënë mbi grupin islamik Al-Shabab nga Somalia, ku Uganda ka trupa në një forcë të unionit afrikan. Al-Shabab kontrollon pjesën më të madhe të kryeqytetit Mogadisho dhe e kishte ndaluar transmetimin e Kampionatit Botëror të Futbollit. Një komandant i Al-Shababit tha në Mogadisho se është i kënaqur me sulmet në Ugandë, por nuk konfirmoi apo mohoi përfshirjen e organizatës së tij në këto shpërthime, ku siç besojnë zyrtarët, u vranë edhe vetë autorët. Në Uashington, pas konfirmimit të vdekjes së të paktën një amerikani në këtë sulm, Presidenti Obama i quajti sulme frikacakësh dhe të neveritshme. Ai dhe sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, thanë se Shtetet e Bashkuara janë gati të japin çdo ndihmë që mund të kërkohet nga qeveria e Ugandës.
#