Fanfara e Tiranës interpreton në Sarandë
Nata e dytë e Festivalit të Orkestrave Frymore ishte në një vështrim edhe sfidë ndaj finales së kampionatit botëror të futbollit. Koncertet u hapën nga trupa vendase, Orkestra Frymore e Bashkisë së Sarandës, nën drejtimin e dirigjentit Namik Xhaferi. Megjithëse një formacion i vogël në numër, kjo trupë bëri një paraqitje serioze. Kjo përshtypje u krijua te publiku së pari nga repertori që luajti, duke sjellë pjesë të shkurtra e të këndshme muzikore dhe marshe, që janë tipike për formacione të tilla të vogla. “Bandat, përveçse luajnë muzikë, kanë si element të tyre të rëndësishëm edhe kostumet. Saranda është ndër trupat që e ka siguruar këtë unitet, falë mbështetjes së dhënë nga Bashkia e Sarandës”, shprehet dirigjenti Xhaferi. Atmosfera vazhdoi me interpretimin e Orkestrës Frymore të Bashkisë së Tiranës, pjesëmarrëse për herë të parë në festival. Dirigjenti i saj, Fatmir Foçi, thotë: “Ne dhamë maksimumin për skenën dhe publikun e këtij festivali, ku sollëm jo vetëm marshe, por edhe literaturë tjetër muzikore, si pjesë klasike nga repertori kombëtar dhe ai botëror”. Performanca e saj ishte një program konciz, që harmonizoi lloje të ndryshme stilesh muzikore, nga marshet, te këngët popullore. Kishte pjesë nga Vagner, marshi gjerman “Berlini në luftë” dhe një marsh shqiptar, pjesë nga repertori i këngës popullore, vals rus etj. Koncertit të kësaj trupe i ka paraprirë parada e saj nëpër rrugët e Sarandës, duke krijuar atmosferë për gjithë qytetin. Ndërkohë që paraditet vazhdojnë të jenë të mbushura me shkollën verore të akademisë muzikore, e aplikuar për herë të parë në këtë edicion.
#