Kuvend, pritet t`i hiqet imuniteti tre deputetëve socialistë
Kuvendi pritet t`i heqë sot, imunitetin 3 deputetëve socialistë Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi që do të hetohen nga Prokuroria për ngjarjen e 21 janarit. Në seancën e sotme pleanare do të votojnë pro heqjes së imunitetit të tre deputetëve socialistë edhe vetë grupi parlamentar i PS-së. Kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se opozita do të mbështesë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve për të vijuar me hetimet për 21 janarin.
Gjithashtu në seancën e sotme do të japin shpjegimet e tyre dhe do t`iu përgjigjen edhe pyetjeve të deputetëve edhe tre deputetët socialistë Balla, Doshi dhe Baraj, ndaj të cilëve prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit. Tre deputetët socialistë i dërguan ditë më parë një letër Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, në të cilën janë shprehur se janë dakord me heqjen e imunitetit të tyre ndërsa kanë theksuar se sqarimet në lidhje me këtë do t`i japin në seancën e sotme në Kuvend.
Sipas rregullores së Kuvendit, raporti i Këshillit të Mandateve do t`u shpërndahet deputeteve gjatë seancës së sotme por ky raport nuk do të jetë objekt i diskutimit. Ndërsa në fund do të votohet në mënyrë të fshehtë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi autorizim për 3 deputetët nën akuzën për "organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme". Për secilin nga deputetët, organi i akuzës ka përgatitur një material prej 272 faqesh, ku përfshihen deklarata të të arrestuarve nga policia si dhe foto të tre deputetëve të premten e 21 janarit 2011.