Kuvend, seanca e fundit para protestës
Vetëm 24 orë nga protesta e 30 prillit, Partia Socialiste pritet të ruajë formalitetin e reagimit të fortë edhe përmes seancës së sotme parlamentare. Edhe pse do të jetë mbledhja e Grupit Parlamentar që do të vendosë zyrtarisht rreth këtij qëndrimi, burime nga selia rozë bënë të ditur se opsioni i pjesëmarrjes është më i mundshmi në raport me opsionin e vijimit të bojkotit. I motivuar nga dënimi i deputetit Taulant Balla, aksioni i opozitës u përqëndrua dy javët e fundit në protestat jashtë sallës së Parlamentit. Burimet nënvizuan se përgatitja e deritanishme e bazës dhe opinionit për një demonstrim masiv ndaj qeverisë “Berisha”, i ndërtuar mbi tema të forta që synojnë rrëzimin e saj, i japin kuptim edhe ashpërsisë së jetës institucionale si shprehje e plotë e krizës politike në vend. Në raport me qëndrimet zyrtare të miratuara edhe në Kongresin e fundit, në çdo rrethanë pjesëmarrja e PS në Kuvend mbetet në kuadrin e një marrëdhënieje të kushtëzuar që e përjashton angazhimin në diskutimin për çështje jashte debatit të lirë në hapësirën 60 minutëshe. Rrjedhimisht, vendimi i grupit është një akt formal që synon të riaktualizojë qëndrimet e ditës të stimuluara nga ritheksimi i krizës. Në fakt, kjo e fundit si shprehje të vetën më dominuese ka përveç bojkotit socialist të Kuvendit edhe përfshirjen e opozitës në politikën e rrugës. Protesta e 30 prillit ka tanimë në axhendën e vet të qëllimeve finale synime madhore për të cilat Partia socialiste është përpjekur që të perceptohen më shumë se si retorikë. Hapat konkretë organizativë të hedhur për këtë qëllim kanë vijuar edhe dje me një angazhim personal të kreut të PS, Edi Rama, i cili sikurse gjatë këtyre ditëve ka vijuar në njësinë 2 në kryeqytet shpërndarjen e ftesave për protestën e së premtes. Kjo skemë publike e organizimit, por edhe komunikimit me qytetarët është e ngjashme me atë të protestës së 20 nëntorit, e cila në regjistrin politik të selisë rozë ka hyrë si një datë suksesi. Për të maksimalizuar këtë përpjekje të radhës, prej gati 1 muaji selia rozë ka vënë në lëvizje kapacitetet e veta institucionale dhe njerëzore duke nisur që nga Grupi Parlamentar e deri te njësitë e bazës së vet. Nuk përjashtohet me këtë rast edhe kontributi i pushtetit lokal që drejtohet nga opozita, që përbën një bazë suplementare organizimi të njerëzve që gjen analogjinë e vet, por edhe legjitimitetin në veprimet e qeverisë me administratën publike. Mund të pritet kështu një ballafaqim politik që e sheh suksesin te shpresa e masivizimit të pjesëmarrjes. 100 000 njerëz është shifra që Partia Socialiste ka hedhur së fundmi në qarkullim, si parashikim i protestës së saj të ditës së premte, një shifër që gjithsesi e projekton më qartë potencialin e vet në vëmendjen e të gjithëve. Por arma më e fortë e këtij angazhimi, që do të jetë edhe sfida e vërtetë e protestës, është ideimi i saj si një demonstrim pa afat kohor. Lidhur me këtë, dje sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi, ka dhënë deklarata zyrtare që konfirmojnë informacionet e përcjella paraprakisht nga shtypi shqiptar. Sipas tij, njerëzit nuk do të lëvizin nga rruga, protesta nuk do të përfundojë nëse kërkesat e saj nuk merren parasysh nga qeveria. Negocimi nga rruga po zëvendëson atë të konsumuar në tavolinën e bisedimeve dhe me komunikimin në distancë, ç’ka e bën tubimin socialist një sfidë të gjithanshme që detyron arritjen e një objektivi politik. Përndryshe, opozita mund të përjetojë një rraskapitje politike të vetes, pse pushimi i demonstrimit pa një koncesion, mund të shihet si dobësi e saj dhe shprehje e mungesës së arsyetimit apo nihilizmit projektim.
#