E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seldi i propozon fejesë Domenikës

Domenika organizon një surprizë për Seldin, me rastin e 3-mujorit të lidhjes së tyre. Vëllai i Madh u ka vënë në dispozicion disa tullumbace në formën e zemrës, të cilat Domi i ka lidhur te varka që banorët ndërtuan me gazetën “Shqip”. Seldi i kërkon Domenikës që të fejohet me të, ndërsa ajo i kërkon që t’i japë pak kohë, pasi ata janë të vegjël për të marrë një hap të tillë Festojnë tre muaj bashkë

Lojëra, debate e sqarime mes banorëve të “Big Brother”. Kështu ka kaluar një tjetër ditë mes tyre. Kika është sqaruar me Jetmirin, po ashtu edhe me Seldin, mbi disa fjalë që ai ka thënë për ta. Ndërkaq, nuk kanë munguar edhe ironitë që ata përdorin në komunikimin mes njëri-tjetrit, të cilat në shumicën e rasteve janë shkak për zënkat e radhës.

Kika dhe Jetmiri sqarohen

Jetmiri i kërkon shpjegim Kikës për fjalët që ai ka thënë se Manal është nën presionin e Jetmirit dhe bën çfarë i thotë ai. Jetmiri shprehet se Manal ka pohuar se nuk i ka marrë për bazë fjalët e Jetmirit dhe Kika i përgjigjet se ai e ka thënë këtë në bazë të eksperiencave të mëparshme të Jetmirit me disa banorë që kanë rënë pre e tij. Jetmiri thotë se do të kishte dashur nga Kika që t’ia kishte thënë gjërat në sy dhe Kika përgjigjet se e ka bërë këtë, dhe përmend Valonin. Ky i fundit shprehet se po e pyet për Manalin dhe jo për Valonin, i cili ka kohë që është larguar. Gjithashtu, Jetmiri i kërkon sqarim Kikës për akuzën që ka bërë ndaj tij, që “u fut thikën pas shpine” banorëve. Kika përgjigjet se ai është i sigurt në këtë gjë dhe Jetmiri i kërkon ta argumentojë këtë mendim. Kika shprehet se Jetmiri ka shumë taktika dhe ai ka qenë i pari që Kika i ka hapur zemrën. Kika i thotë Jetmirit se ai nuk ka bërë asgjë të mirë në shtëpi, dhe Jetmiri përgjigjet se atë nuk mund ta vlerësojë Kika, por vetëm opinioni i publikut, i cili e voton. Pasi kjo bisedë mbaron, Jetmiri bisedon me Erionin. Ai i thotë se Kikës i është ngulur në mendje fakti që është më i miri dhe Erioni përgjigjet se ai nuk ka asgjë kundër Kikës, dhe po ta mendosh thellë, ai është vërtet i mirë. Jetmiri thotë se loja nuk ka mbaruar ende, dhe ai nuk ka ndenjur kot aty dhe Kika duhet të presë dhe surpriza. Erioni shprehet se sipas mendimit të tij, Kika do të qëndrojë deri javën finale dhe shton se në finale mund të mos jetë e tyre fitorja, por mund ta marrë ndonjë që nuk e presin.

Domenika nevrikos Erionin

Erioni, Jona, Mandi, Klodi dhe Domenika vazhdojnë të bisedojnë në tavolinën e ngrënies. Në bisedë e sipër Domenika fillon ta ngacmojë Erionin, duke i folur me ironi. Ajo i thotë se në shtëpi Erioni ka qenë protagonist kryesor në një “film”, por nuk e sqaron më tepër se për çfarë e ka fjalën. Erioni i kërkon shpjegime, por Domenika nuk e sqaron plotësisht, duke e lënë Erionin me dyshime. Gjatë kësaj kohe, Erionin e ngacmojnë edhe Mandi, Klodi dhe Jona. Ai këmbëngul që Domenika t’ia thotë drejtpërsëdrejti atë që mendon dhe çfarë nuk i është dukur korrekte te sjellja e Erionit. Pasi Domenika nuk i tregon, por largohet, Erioni mërzitet dhe nevrikoset.

Loja e surprizës

Jona shkon në dhomën e rrëfimit, ndërsa banorët e tjerë vazhdojnë të bisedojnë në dhomën e gjumit. Pas disa minutash Jona kthehet në dhomën e gjumit me një zarf në dorë. Të gjithë dalin në oborr dhe Jona fillon të lexojë zarfin. Zarfi ka në përmbajtjen e tij udhëzimet e një loje që do të bëjnë banorët. Vëllai i Madh këtë herë ka vendosur që banorët të bëjnë një lojë dhe nëse luajnë siç duhet, për ta do të ketë surpriza. Loja ka të bëjë me disa pyetje që banorët do t’u përgjigjen. Fillimisht ata do të zënë vende në disa kuba me numra, sipas disa pyetjeve që ka vendosur BB dhe përgjigjeve të tyre. Pas kësaj, ata do të hyjnë në dhomën e rrëfimit, sipas një radhe të paracaktuar. Pas leximit të zarfit, banorët fillojnë të luajnë dhe të japin mendimet përkatëse për inteligjencën. Gjatë kohës që luajnë, banorët komentojnë mendimet e tyre. Loja u shërben banorëve që ata t’ia thonë mendimet që kanë njëri-tjetrit.

Seldi dhe Klodi debatojnë sërish

Pas lojës, banorët fillojnë të debatojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo duke përdorur ironinë. Ata diskutojnë për mendimet që banorët dhanë për secilin gjatë pyetjeve të lojës. Ata diskutojnë se gjatë lojës, banorët u munduan që ta kundërshtonin njëri-tjetrin, duke dhënë mendime sa më negative për ata që i shohin si “armiq”. Teksa diskutojnë, pjesa më e madhe e tyre thonë se më i sinqerti në lojë ishte Klodi, i cili nuk përkrahu asnjërin, por dha mendimet e tij. Sipas tij, kjo lojë ishte për të parë mendimet personale të gjithsecilit dhe jo për të mbajtur anën e atij që ke më mik se të tjerët. Mendimi i tij nuk i pëlqen Seldit, i cili fillon t’i flasë me tone të larta Klodit, sepse ai votoi pozitivisht Jetmirin si njeri me mentalitet të hapur dhe sipas tij nuk duhet ta bënte, sepse Miri e ka mohuar. Kështu, mes tyre lind një debat. “Rrofsh, por preferoj që t’i gjykoj të tjerët me një sy tjetër”, ia kthen Klodi, sipas të cilit Seldi ka mendimin e vet, por nuk ka përse të ndërhyjë në opinionet e të tjerëve. Seldi i thotë se atij i vjen keq për Klodin dhe ky i fundit i thotë se nuk ka nevojë që të shqetësohet për të dhe e falënderon edhe pse nuk ka përse të ndiejë keqardhje. Seldi vazhdon të bërtasë duke gjykuar Klodin, që sipas tij bëri gabim që votoi Mirin si një ndër banorët me mendje të hapur. Duke parë reagimin agresiv të Seldit, Klodi i thotë që të merret me Domenikën dhe të kujtojë ditën e lidhjes me të, sepse sot bëjnë 3 muaj bashkë. Seldi, që fillimisht nuk e kupton, shkon te Domi dhe pasi e konfirmon edhe nga ajo këtë gjë harron debatin që po bënte me Klodin dhe fillon të puthë Domenikën.

çifti feston tre muaj bashkë. Seldi e propozon për fejesë

Domenika organizon një surprizë për Seldin me rastin e 3-mujorit të lidhjes së tyre. Ajo ndihmohet nga Klodiani dhe Eridiona. Seldin e thërrasin në dhomën e rrëfimit dhe Domenika përfiton nga mungesa e tij, dhe së bashku me Jonën dhe Klodin përgatisin një atmosferë romantike jashtë, duke ndezur qirinj. Vëllai i Madh u ka vënë në dispozicion disa tullumbace në formën e zemrës, të cilat Domi i ka lidhur te varka që banorët ndërtuan me gazetën “Shqip” disa javë parë, për një provë javore. Vajza hipën në varkë dhe pret që Seldi të vijë aty. Klodi shkon dhe merr Seldin dhe e çon te Domenika. çifti hip në varkë për të festuar fillimisht aty njohjen e tyre, ndërsa banorët futen brenda për t’u lënë hapësirën e nevojshme të dyve. Nuk ka se si të mungonte muzika romantike dhe vera në një festë të tillë. Ndër të tjera çifti kujton momentet e para të njohjes së tyre dhe puthja e parë që kanë dhënë. Nuk mungojnë deklaratat e dashurisë, kryesisht nga Seldi. Ndër të tjera ata kujtojnë edhe zënkat e tyre dhe sqarojnë edhe një herë keqkuptimet që kanë pasur, duke përfshirë edhe Enxhin. Në një moment Seldi i kërkon Domenikës që të fejohet me të dhe i kërkon që ajo t’i thotë se çfarë ndjen për të. Domenika i kërkon që t’i japë pak kohë dhe se ata janë të vegjël për të marrë një hap të tillë. Më pas ata vazhdojnë të festojnë.

Vajzat bëjnë zhurmë

Ndërsa banorët përpiqen të flenë, Seldi dhe Domenika fillimisht luajnë me jastëkë, duke shkaktuar zhurma. Më pas Domenika fillon të bëjë thashetheme me Jonën. Vajzat flasin për Erionin dhe Jetmirin. Ato flasin pa mikrofon dhe me zë të ulët, duke bërë që të paralajmërohen nga BB për të ndezur mikrofonin. Erioni në këtë moment është acaruar shumë dhe fillon të debatojë me banorët që po bënin zhurmë, duke u thënë vajzave që t’i ndezin mikrofonat për të shmangur paralajmërimet që zgjojnë edhe ata të cilët janë në gjumë.

Erioni ankohet për gjumin e keq

Të parët që zgjohen janë Klodi e Kika. Kika shkon të ndërrojë bateritë e mikrofonave dhe i thotë Erionit se ai po bëhet aktiv duke bërë punë, duke nënkuptuar faktin se Erioni thotë se Kika nuk lëviz shumë. Erioni nuk përgjigjet dhe e shpërfill. Më pas ata të dy dalin në kopsht dhe komentojnë për ngjarjen e mbrëmshme. Erioni shprehet se atij i vinte gjumë, por vajzat bënin zhurmë duke folur. Kika përgjigjet se dhe atij i ka ndodhur shpesh kjo gjë, që të tjerët të bëjnë zhurmë, ndërkohë që ai do të flejë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›