Kuvendi, 600 milionë lekë për sallën e re

Drejtoria e Prokurimeve ka mbyllur dy tenderat, për ristrukturimin dhe mobilimin e sallës se seancave plenare
Punimet do të nisin më 28 korrik kur mbyllet sesioni aktual parlamentar dhe duhet të përfundojnë në 1 shtator
Kuvendi i Shqipërisë do ndryshojë fytyrë. Selia e seancave plenare do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Kuvendi ka përmbyllur dy tenderat me vlerë totale 600 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e godinës dhe mobilimin e sallës ku zhvillohen mbledhjes së seancave plenare dhe në fund të korrikut firma fituese do filloj punë për të realizuar projektin.
Rikonstruksioni
Bojkoti 9 mujor i Kuvendit nga opozita ka pasur dhe një anë të vet pozitive. Për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve socialistë në jetën parlamentare dhe për rrjedhojë të mospagimit të tyre, drejtuesit e Kuvendit kanë mundur të sigurojnë një gjendje të mirë financiare, çka u ka dhënë mundësi që jo vetëm të japin shpërblime për punonjësit e administratës, por edhe të krijojnë mundësinë për të rritur zërin e investimeve.
Falë një gjendje të mirë financiare, të siguruar edhe për shkak të këtij bojkoti, institucioni legjislativ vendosi të ndërhyjë godinën e sallës së seancave plenare.
Megjithëse Kuvendi ka hartuar një projekt afatgjatë për ngritjen e një kompleksi parlamentar në ambientet ekzistuese të kryesisë apo siç njihet ndryshe tek godina e ish-Komitetit Qendror, drejtuesit aktual të këtij institucioni kanë vendos të mos presin gjatë por të ndërhyjnë në godinën ekzistuese të seancave plenare.
Kështu, drejtoria e prokurimeve ka zhvilluar në mes të muajit maj tenderin me vlerë 48,6 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e Sallës së Seancave Plenare dhe ka shpallur firmën fituese e cila do merret me zbatimin e projektit në teren.
Ajo që dihet me siguri deri më tani është ndërhyrja brenda në sallë, por nuk përjashtohet mundësia që me këtë shumë të konsiderueshme lekësh të mund të rikonstruktohen edhe pjesët e tjera të kësaj godine. Burime nga Kuvendi kanë bërë të ditur se pritet të ndërhyhet edhe në llozat e të ftuarve, në platenë ku sot qëndron media, zyrat e grupeve parlamentare etj.
Nuk dihet ende nëse projekti parashikon ruajtjen e formatit aktual, por nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të vendeve ku qëndron kabineti qeveritar, si dhe të tavolinës së drejtuesve të Kuvendit. Një tjetër ndryshim mund të bëhet edhe për vendet ku qëndrojnë kamerat dhe gazetarët.
Sipas formularit të kontratës së nënshkruar mes drejtorisë së prokurimeve dhe firmës fituese punimet duhet të nisin menjëherë dhe të përfundojnë para datës 1 shtator 2010, pra para nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Megjithatë firma fituese do të jetë e kushtëzuar në realizimin e këtij projekti në kohë, pasi punimet nuk mund të fillojnë para datës 27 korrik, kur edhe mbyll punimet e këtij sesioni.
Mobilimi
Krahas tenderit për rikonstruksionin e godinës Drejtoria e Prokurimeve ka mbyllur edhe tenderin për mobilimin e sallës përkatëse. Plot 11.2 milionë lekë të reja do ti kushtojë buxhetit të Kuvendit mobilimi i sallës së seancave plenare. Sipas kontratës mobilimi do të përfshijë blerjen e tavolinave, karrigeve të deputetëve, ministrave dhe drejtuesve të Kuvendit.
Ajo që pritet të qëndroj nga salla aktuale do të jetë me siguri sistemi elektronik i votimit, i cili u vendos i ri vetëm dy vjet më parë, pas debateve që u zhvilluan atëherë mes mazhorancës dhe opozitës për votën e fshehtë.
Tenderi
Procedura e prokurimit elektronik: Procedurë e Hapur
Objekti i prokurimit: Rikonstruksion i Sallës se Seancave Plenare
Fondi limit: 48,670,008 lekë pa TVSH
Afati i punimeve: Nga nënshkrimi i kontratës deri në dt. 01.09.2010
Objekti i Prokurimit: Mobilim i Sallës së Seancave Plenare
Fondi limit 11.230.800 lekë pa TVSH
*************************
Afati i Lëvrimit: Nga nënshkrimi i kontratës deri në 17.08.2010
Dekretet e presidentit, shtyhet seanca dëgjimore
TIRANË-Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të mblidhet sërish sot për të diskutuar mbi ndryshimet në rregulloren e Kuvendit sesi institucioni ligjvënës do të operojë me mënyrën e votimit të dekreteve të propozuara nga Presidenti për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Ndryshimet e propozuara nga deputetët e mazhorancës synojnë të eliminojnë votimin e fshehtë gjatë dhënies së pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës përfshi këtu edhe rastet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese.
Kështu, amendimi i parë i paraqitur nga deputetët e shumicës për ndryshimin e rregullores ka të bëjë me futjen e votimit të hapur për dekretet e propozuara nga kreu i shtetit, ndryshe nga mënyra si është kryer deri më sot, kur votimi i kandidaturave nga ligjvënësit është bërë me kuti ose i fshehtë me elektronikë.
Ky propozim është kundërshtuar nga deputetë të opozitës si gjatë diskutimeve në Këshill ashtu edhe gjatë deklarimeve publike të përfaqësuesve socialistë. Në këtë mënyrë edhe mbledhja e sotme pritet të mos sjellë ndonjë konsensus në këtë debat, pasi palët kanë filozofi krejt të ndryshme lidhur me mënyrën e votimit.
Kështu të djathtët e konsiderojnë votimin e hapur si mundësinë më të madhe për të bërë transparencë, ndërsa të majtët e konsiderojnë atë si fundin e demokracisë parlamentare. Amendimi i dytë që kërkon të imponojë mazhoranca në rregulloren e Kuvendit qëndron në ndryshimin e afateve kohore për shqyrtimin dhe votimit e dekreteve në Kuvend nga tri javë që është aktualisht, të shkojë në tetë javë.
Ky amendament ka si qëllim që t'u japë kohë të mjaftueshme seancave dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve, të kandidatëve që janë propozuar për postet përkatëse në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti i vendit, përpara se dekretet të dërgohen në Kuvend për miratim.
Megjithatë duket se procesi i diskutimit për ndryshimin e rregullores do të sjellë edhe shtyrjen e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve për të marrë në pyetje tre të dekretuarit të Presidentit të Republikës për anëtarë në Gjykatën e Lartë.
Seanca dëgjimore që ky komision kishte parashikuar të zhvillonte me tre kandidatët ditën e mërkurë pritet të shtyhet për shkak se shumica qeverisëse kërkon ti marrë në pyetje dhe më pas ti votojë ata sipas procedurave të reja që ka propozuar për diskutim në Këshillin e Rregullores dhe që mund të kalojnë për miratim në seancë plenare vetëm ditën e enjte.