E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtuesit e komisioneve, PS mbledh kryesinë dhe grupin

Në fillim të javës selia rozë pritet të mbledhë dy forumet e larta drejtuese për të caktuar emrat


Pritet të caktohet edhe emri i nënkryetarit të Kuvendit, si dhe të plotësohet kryesia e grupit me nënkryetar dhe sekretar


Rikthimi në jetën normale parlamentare ka bërë të detyrueshme për socialistët që të ezaurojnë edhe hapin e fundit formal, zgjedhjen e kryesisë së grupit, nënkryetarit të Kuvendit, si dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare.


Për këtë arsye brenda së mërkurës selia rozë pritet të përcaktojë fillimisht në kryesi dhe të miratojë më pas grupin në parlamentar përfaqësuesit e vet në këto pozicione.


Gjithashtu në këto mbledhje pritet të merret një vendim lidhur edhe me një nismë të mundshme të grupit parlamentar socialistë për hetimin kryeparlamentares Jozefina Topalli për abuzime me fondin e pagave dhe buxhetin e Kuvendit, hetim që mund të jetë parlamentar ose penal.


Drejtuesit


Megjithëse e kishte kushtëzuar me zgjidhjen e krizës politike, Partia Socialiste hedh edhe një hap tjetër në lëshimet e saja kundrejt mazhorancës, dhe pas rikthimit në Kuvend ka vendosur të plotësojë edhe detyrimin për të zgjedhur përfaqësuesit e saja në të gjitha strukturat e tjera parlamentare që kishin mbetur ende vakante.


Në funksion të këtij qëllimi, selia rozë do të mbledh në fillim të javës kryesinë e saj, për të diskutuar lidhur me emrat që do të përzgjidhen për në këto poste drejtuese.


Në bazë të statutit të kësaj force, është kryesia ajo që i propozon grupit parlamentar emrat që do të emërojë si zëvendëskryetar të Kuvendit, nënkryetarin dhe sekretarin e grupit, si dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Më pas do të jetë grupi ai që do të vendos me votim mbi emrat e propozuara nga kryesia.


Për këtë arsye fillimisht pritet të mbahet mbledhja e kryesisë dhe brenda të mërkurës mbledhja e grupit. Socialistët në bazë të vendimit të mëparshëm të Kuvendit do të duhet të drejtojnë me kryetarë të tyre vetëm tre komisione: ai për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, si dhe komisioni për Integrimin Europian.


Gjithashtu, PS duhet të zgjedhë edhe 5 nënkryetarë komisionesh dhe konkretisht në atë të Ligjeve, Ekonomisë, Sigurisë, Veprimtarisë Prodhuese dhe Politikës së Jashtme. Socialistët në momentin që do të vendosin të plotësojnë këto vende vakante, do të duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e tretë të Kuvendit.


Hetimi


Objekt i mbledhjes së këtyre dy forumeve të larta drejtuese të PS-së do të jetë dhe çështja e abuzimeve me pagat e deputetëve dhe buxhetin e Kuvendit.


Nisur pikërisht nga penalizimet e herëpashershme të Kuvendit me të ardhurat për kryerjen e funksionit të deputetit, të zgjedhurit socialistë kanë paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme për ngritjen e një komisioni parlamentar për të parë mënyrën e përdorimit të buxhetit të Kuvendit nga ana e kryeparlamentares Topalli dhe trajtimin financiar të çdo deputeti përfshi këtu edhe atë vetë si drejtuese e këtij institucioni.


Objekt i punës së këtij komisioni mund të jetë dhe hetimi i mënyrës së menaxhimit të buxhetit të Kuvendit në pesë vitet e fundit, kohë gjatë së cilës ai është drejtuar nga Jozefina Topalli.


Pra, një hetim për të parë raportet e buxhetit që përdoret për mbështetjen e aktivitetit legjislativ të deputetëve dhe buxhetit që përdoret për aktivitetin e kryetares së Kuvendit.


Duke i konsideruar penalizimet e vazhdueshme me pagat dhe dietat, si tentativë për të paralizuar funksionimin parlamentare të opozitës dhe kryerjen e funksionit të ligjvënësit, të zgjedhurit socialistë nuk kanë përjashtuar as mundësinë e paditjes në Gjykatë të kryetares Jozefina Topalli, sekretarit të Përgjithshëm, Marlind Myftiu, si dhe financieres së Kuvendit.

Nënsekretari socialistë Bushati theksoi se me borxhin e saj qeveria po bllokon investimet private dhe kreditimin

PS: Qeveria rriti huamarrjen me 856%


TIRANË- Opozita akuzoi dje qeverinë shqiptare se ka rritur huamarrjen e brendshme duke bërë që të pakësohen mundësitë për kreditim dhe investime për biznesin privat. Gjatë një konference për shtyp nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste Ervin Bushati theksoi se me borxhin e saj qeveria po bllokohen investimet private dhe kreditimin duke asfiksuar gjithë ekonominë në vend.


Bushati vuri në dukje se qeveria në vend po thith gjithë likuiditetet në një kohë kur, sipas tij, në arkën e shtetit asaj i mungojnë 10 miliardë lekë që në 4 mujorin e këtij viti.


"Thatësira financiare e detyron qeverinë të rrisë huamarrjen e brendshme në 856% larg normalitetit; kjo vetëm në 4 muajt e parë të 2010. Ky borxh i frikshëm është shenjë e qartë e panikut financiar dhe qeverisës që ka kapur zotin Berisha. Investimet private dhe kreditimi i biznesit bllokohen në këtë mënyrë nga qeveria që asfikson ekonominë në vend


Shteti është "Borxhliu i Sëmurë", që po infekton dhe sektorin privat në një kthesë të rrezikshme të ekonomisë sonë. Etja e qeverisë për likuiditete është dëshpëruese, sidomos kur qeverisë i mungojnë nga arka e shtetit 10 miliardë leke që në 4-mujorin të 2010",- tha dje Bushati.


Ai nënvizoi se dështimi i Eurobondit, huamarrja e brendshme si dhe shi-blerja e detyruar e Hotel Dajtit, sipas Bushatit, po e rëndon gjithnjë e më tepër situatën financiare të qeverisë. "Situata e fundit me shtyrjen drejt kalendave greke të Eurobondit prej 400 milionë euro, e rëndon së tepërmi stresin financiar të qeverisë prej shterimit të parasë në treg.


Huamarrja e brendshme, nën vëmendjen e veçantë nga Banka Qendrore, ashtu si dhe shit-blerja e detyruar e "Hotel Dajtit", tregon si për dëshpërimin e Ministrisë së Financave për para ashtu dhe për implikimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në "skema financiare piramidale" me kosto të larta për parametrat makroekonomik të vendit",- u shpreh ai.


Duke iu referuar Bankës Botërore mbi të ardhurat fiskale të qeverisë, Bushati specifikoi se këto të ardhura nuk janë aspak realiste duke shtuar se është mjaft e vështirë që investimet publike të sjellin fitimin e kërkuar për të mbuluar interesat e borxhit publik.


E gjithë kjo situatë sipas tij, ka shtuar panikun financiar të qeverisë Berisha. "Parashikimet e fundit të qeverisë mbi të ardhurat fiskale nuk janë realiste, kjo sipas Bankës Botërore; investimet publike nuk janë të menduara mirë dhe vështirë se nxjerrin fitimin e duhur për të mbuluar interesat e borxhit publik.


Mosprezenca e një programi me FMN-ën, ashtu si dhe përkeqësimet fiskale të kohëve të fundit sipas konstatimeve të reja të Bankës Botërore; e kanë ka brejtur tërësisht besueshmërinë e politikës ekonomike të qeverisë Berisha, që së fundmi ka rënë pre e panikut financiar",- përfundoi Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›