Kuvendi, 65 vota pro. Ruli: Do të rriten shërbimet
Kuvendi ka votuar me shumicë votash projektligjin "Për dhomat e tregtisë", sipas të cilit, bizneset nuk do të jenë të detyruara të anëtarësohen pranë dhomave të tregtisë, sikurse është vepruar deri më tani. Në këtë mënyrë, subjektet private, përjashto të voglat, do të anëtarësohen vullnetarisht, duke u nisur nga interesat e tyre për t‘u përfaqësuar apo jo nga dhomat e tregtisë. Në parim, deputetët e Kuvendit e kanë votuar pro ligjin e ndryshuar, duke propozuar disa ndryshime të tij. Kështu, deputeti i PD-së për Durrësin, Genc Juka, ka propozuar shtyrje të miratimit të ligjit më 1 janar të vitit 2009, duke qenë se, bizneset gjatë tre muajve të parë të 2008-ës kanë operuar me ligjin aktual. Ndërsa deputeti i opozitës, Pilo Keri, duke mbështetur nismën, propozoi rritje të shërbimit ndaj bizneseve nga dhomat e tregtisë, duke e vënë theksin te lehtësimi i dhënies së vizave, element që duhet të përforcohet në këto organe. Për sa i përket afatit të hyrjes në fuqi të ligjit, ministri Ruli u shpreh kundër, pasi heqja e anëtarësisë së detyrueshme do të sjellë një rezultat pozitiv, për cilësinë e shërbimeve, që do të ofrojë dhoma. "Jam dakord plotësisht për transferimin e sa më shumë shërbimeve drejt dhomave të tregtisë. Dhe ne këtë e kemi bërë duke i kaluar shërbimin e vizës dhe regjistrimin e bizneseve për të marrë licencë në sportelet e QKR-së". Ndryshimet në projektligj prekin nenin 6 "Anëtarësia". Ky nen është kundërshtuar vazhdimisht nga një pjesë e madhe e komunitetit të biznesit, pasi e detyrojnë atë të krijojë një bashkim jovullnetar, duke paguar çdo vit kuotat e anëtarësisë, që sipas madhësisë së biznesit, aktualisht variojnë nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në vit, pra një kosto fikse vjetore jo e vogël për biznesin.