Bizneset: Qeveria të zhbllokojë projektin e "Club Mediterrane"
Qeveria duhet të marrë në konsideratë sektorin e turizmit, duke hartuar politika në zhvillim të tij. Me afrimin e sezonit turistik, marrja e mesave do të ishte e domosdoshme, për të përmirësuar infrastrukturën në tërësi. Bizneset, anëtare të Konfindustrias, dje, i kanë bërë thirrje qeverisë që spotet publicitare, si ai i CNN, nuk mjaftojnë për tërheqjen e qëndrueshme të turistëve në Shqipëri. "Politikat qeveritare duhet të ndërhyjnë sa më shpejt dhe fuqishëm për ndërtimin e një industrie turistike shqiptare të mirëfilltë, që në Shqipëri mungon krejtësisht, ndërkohë që vendet konkurrente të rajonit nga mungesa e saj përfitojnë të ardhura të mëdha nga pjesa e tregut turistik, që natyrisht i takon vendit tonë", thotë administratori i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku. Për të arritur këtë synim do të ishte e mjaftueshme prania e kompanive serioze ndërkombëtare të fushës. Në këtë kuptim, Konfindustria, bazuar në të dhënat që zotëron, shpreh shqetësimin e saj për pengesat e pashpjegueshme në vite të tëra ngaqë institucionet shtetërore vonojnë edhe më shumë lejen e ndërtimit të Resortit Turistik të Kakomesë për një nga operatorët turistikë më të mëdhenj në botë siç është "Club Mediterrane". "Në kohën kur prania e operatorëve të tillë të fuqishëm do të ishte një publicitet me vlera të jashtëzakonshme për turizmin shqiptar, vonesat e pashpjegueshme kthehen në antireklamën më të keqe për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe në mjetin më të mirë për vendet konkurrente të rajonit në turizëm, që do të vazhdojnë të përfitojnë nga qindra milionët, që i takojnë qytetarëve të këtij vendi në mos shfrytëzimin e mundësive të mëdha turistike, që zotërojmë", shprehet Buxhuku. Më tej, administratori i Konfindustrias i sugjeron qeverisë se sa më shpejt duhet që ftesat publicitare ndaj turistëve të huaj dhe vendas të shoqërohen, përveç pranisë së domosdoshme të operatorëve ndërkombëtare të fushës, edhe me masat e duhura shtetërore për përmirësimin e infrastrukturës tërësore në vend. Ndryshe, vijon Buxhuku, rrezikojmë, që ftesat të kthehen në boomerang për zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë turistike kaq të rëndësishme për ekonominë kombëtare.
Spoti te CNN
Qeveria ka shpenzuar 300 mijë euro për të transmetuar spotin publicitar që promovon turizmin e Shqipërisë në kanalin prestigjioz CNN. Transmetimi i reklamës ka nisur më 7 prill. Ai do të vijojë për tri javë rresht me dy spote prej 30 sekondash secili dhe një spot prej 20 sekondash dhe do të përfundojë në javën e parë të majit. Koha e transmetimit gjatë kësaj periudhe do të jetë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 24.00. Gjatë një dite, ky spot do të transmetohet vetëm pesë herë.