Kuvendi Civil: Berisha po shet gjithçka për të mbushur arkën e Familjes
Kuvendi Civil akuzoi qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Berisha se përpjekjet për të rritur procesin e privatizimit në vend janë përpjekje për të përfituar sa më shumë nga sektorët strategjik në Shqipëri. Qeveria shqiptare dhe kryeministri në detyrë, Sali Berisha, konfirmuan edhe një herë vështirësinë për të menaxhuar jo vetëm popullin, por edhe pasuritë kombëtare. Përpjekjet e fundit për të privatizuar Monumentet dhe Pyjet, bien erë pazar, për të cilën kreu i qeverisë duhet të japë shpjegime, madje të thirret në interpelancë, theksohet në deklaratën e Kuvendit Civil. Sipas përfaqësuesve të këtij forumi, nuk ka precedent në botë, ku pushteti nxjerr në shitje kala dhe monumente, për më tepër pa u diskutuar dhe bërë transparencën. Kryeministri pretendon se ne jemi ekonomia më e zhvilluar e botës dhe se arrijmë rekordet e turizmit. Por kjo nuk do të thotë, se meqenëse i eci në privatizimin mafioz të pasurive kombëtare industriale, si nafta dhe mineralet, të bëjë të njëjtën gjë edhe me trashëgiminë. Sali Berisha i nxori sytë vetes, duke i thënë popullit se sa shumë e do këtë vend, gjelbërimin dhe pasuritë e trashëguara nga lashtësia. Motoja e tij është të shesë gjithçka për të mbushur arkën e shtetit dhe të familjes!, theksohet në deklaratë.