E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet afati, në shtator 100 mijë qytetarë të deklarojnë pasurinë

01/02/2012  Opozita kërkoi shtyrjen deri në 2014. Rrushaj: Kush përfiton nga shpenzimet e zbritshme

Deri në 100 mijë qytetarë do të duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë deklaratën individuale të të ardhurave, brenda muajit shtator të këtij viti. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje shtyrjen e afatit dhe ndryshimet e tjera lidhur me deklarimin personal të të ardhurave. Në krahasim me sa ishte parashikuar më herët, nuk do të jenë më 1,2 milionë shqiptarë që duhet të deklarojnë të ardhurat, pasi pragu i deklarimit të detyrueshëm është rritur nga 200 mijë në 2 milionë lekë të ardhura në vit. Opozita nuk e ka miratuar këtë projektligj sepse ka kërkuar një shtyrje më të gjatë në kohë, por gjithësesi deputetët e mazhorancës e kaluan draftin vetëm me votat e tyre.

Ndryshimet

Të gjithë personat me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë do të përfshihen në skemat e deklarimit të detyrueshëm në organet tatimore. Ndryshimet ligjore kanë përcaktuar si afat të deklarimit datën 30 shtator të këtij viti, kur edhe duhen dorëzuar deklarimet për vitin e shkuar. Sipas zëvëndësministrit të Financave, Alfred Rrushaj, mendohet që 50 deri në 100 mijë persona të jenë pjesë e deklarimit të të ardhurave. “U mendua që rritja e pragut të deklarimit të shkonte nga 200 mijë lekë në 2 milionë lekë në vit. Natyrisht që për tu dhënë mundësi për tu përshtatur me këtë lloj ndryshimi, është menduar shtyrja e afatit të deklarimit të parë për këtë vit, që i përket fundit të shtatorit të viti 2012. Nga shpenzimet e zbritshme përfiton ajo kategori tatimpaguesish që ka një të ardhur vjetore deri në 1 milion lekë. Tatimpaguesit që janë mbi këtë të ardhur, natyrisht që nuk do të përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme”, - tha Alfred Rushaj. Ndryshimet nuk kanë përfshirë shpenzimet e zbritshme, që janë pagesat për arsimim, sigurime shëndetësore apo kurim.

Kërkesa e opozitës

Gjatë diskutimeve mbi ndryshimet ligjore, deputetët e opozitës kërkuan më shumë kohë për aplikimin e kësaj skeme tatimore. Sipas tyre, sistemi ende nuk është gati për të përpunuar të dhënat dhe personat do të ndeshen me vështirësi ndaj zbatimi i ligjit duhet të shtyhet për në vitin 2014 apo 2015. “Kemi një pamundësi që administrata tatimore të funksionojë dhe përpunojë deklaratat e individëve qoftë rezidentë, qoftë jorezidentë. Ne kemi kërkuar shtyrjen. Ne e dimë që nuk ka një sistem, opozita e di shumë mirë që nuk ka një sistem të përpunimit të tyre”,- tha Arben Ahmetaj, deputet i PS-së. Skema e mëparshme e deklarimit kishte si kufi personat me të ardhura vjetore ndërmjet 800 mijë dhe 2 milionë lekëve. Ligji egzistues parashikonte futjen në skemë të të gjithë qytetarëve me të ardhura vjetore 200 mijë lekë, çka do të sillte përfshirjen në skemë të të gjithë deklaruesve potencialë në vend. Me rritjen e nivelit të deklarimit të detyrueshëm nga 200 mijë në 2 milionë lekë të ardhura në vit, Ministria e Financave ka shmangur një fluks deklaratash që mund të ishte i papërballueshëm për administratën tatimore, e cila për herë të parë përfshihet në një proces të tillë. Ky fakt është pranuar nga vetë zëvëndësministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili tha se kjo ka ardhur edhe si kërkesë e konsulentëve ndërkombëtarë.

Shpenzimet e njohura për efekt rimbursimi

Nëse qëllimi kryesor është identifikimi i individëve evazorë, qeveria parashikon të arrijë një tjetër objektiv: ndihmën ndaj shtresave sociale. Shumë familje kanë të ardhura të pakta, por njëkohësisht paguajnë taksa njëlloj si të tjerët me të ardhura më të mëdha (taksa e sheshtë dhe kontributet). Për këtë kategori, qeveria mendon të kryejë rimbursime, duke u bazuar te disa shpenzime të njohura, me karakter social, si arsim dhe shëndetësi, në rast se të ardhurat vjetore nuk i kanë më shumë se 1 milion lekë. Në ligjin e vjetër kufiri ishte 800 mijë lekë, por duke qenë se ndryshoi niveli i pagës minimale në korrik, qeveria rriti edhe kufirin e përfituesve. Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme të këtyre individëve që plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, shpenzime të zbritshme do të konsiderohen Kontributet vullnetare në fondin e pensionit vullnetar dhe kontributet vullnetare të individit për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi. Kufiri maksimal për lehtësi tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë/vit dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit të fondit; shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari; shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave. (8,532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32,000 lekë).

Kategoria e të ardhurave bruto

Tatimpaguesi, në deklaratën vjetore të të ardhurave, jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen:

a) të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët dhe fitimi nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit të vogël, që rezulton nga Deklarata e të Ardhurave Personale të Biznesit të Vogël për të vetëpunësuarit;

b) të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;

c) të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;

ç) të ardhurat bruto nga interesa bankarë;

d) fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;

dh) shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;

e) të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;

ë) fitimi kapital nga dhurimi;

f) të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›