Situata politike, Montobio: Lidhni telat që t’ju mbështesë BE-ja
Situata politike në Shqipëri është përkufizuar nga ambasadori spanjoll në Tiranë, vend i cili mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, si një mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi. Duke folur për situatën politike në një tryezë ku morën pjesë mjaft ambasadorë dhe politikanë shqiptarë, Manuel Montobio, ambasadori i Spanjës, u shpreh se politika shqiptare duhet të lidhë telat në mënyrë që të ketë mbështetjen e BE-së. “Ju jeni të mirëpritur të mirëpritur në BE, por për të qenë anëtarë, duhet të jeni një shtet. Një shtet, sipas konceptit të BE-së, nuk do të thotë një shtet dosido, por një tip i veçantë shteti. Në mënyrë metaforike duhet të keni lidhje që të prodhoni elektricitet. Nuk do të keni jetëgjatësi nëse keni tela të shkurtër. Mund të shkaktoni kolaps. Por duhet të lidhni telat dhe me t’u lidhur ata, do të keni mbështetjen e BE-së”, - tha Montobio. Duke qëndruar në axhendën e Shqipërisë drejt BE-së, ambasadori i Spanjës sugjeroi për politikanët shqiptarë që të mos reklamojnë mosmarrëveshje, pasi një gjë e tillë shihet me shqetësim nga organizmat ndërkombëtarë. Sipas tij, situata e brendshme në Shqipëri nuk duhet të bjerë në sy të Evropës, pasi ajo mund të tregojë se shqiptarët janë problematikë. “Shqipërisë i intereson te jetë pjesë e axhendës së Këshillit të Bashkimit Evropian sepse do të thotë që po bëhet progres në drejtimet e kërkuara nga ky organ, por nuk i intereson të jetë pjesë e axhendës së Këshillit për Politikën e Jashtme, sepse kjo do të thotë se ju s’po ecni dhe aq mirë. Situata e brendshme në Shqipëri nuk duhet t’i bjerë në sy Bashkimit Evropian apo ndonjë organizate tjetër ndërkombëtare, pasi kjo tregon se jeni problematikë”, - tha ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio. Ai kërkoi më tej që politika shqiptare të bjerë dakord për zgjedhjet dhe standardet e kërkuara nga BE-ja si dhe të luftohet korrupsioni.