Kuvendi: PS po sfidon kredencialet e delegacionit
TIRANE- Menjëherë pas akuzave të deputetes socialiste se Kuvendi nuk ka përmbushur kriteret europiane për delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropian ka reaguar kryetarja e Kuvendit Topalli nëpërmjet zëdhënëses së saj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp zëdhënësja Suela Ruseti shpjegon se, “Kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Europës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit”. Sipas saj “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare ështëzbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës ka pasur vetëm një anëtar dhe ky, është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës. Shtoj këtu se, nga Asambleja e KE-së, zoti Islami është Reporter për Gjeorgjinë. Lidhur më këtë, nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt."Në deklaratë ne Rusetit sqarohet edhe një herë se mandatet e deputetëve të delegacionit shqiptar janë krejtësisht legjitime, pasi Kuvendi, nënvizon ajo ka zbatuar ligjin dhe rregulloren. Deklaratat e PS i ka cilësuar si false dhe të pabazuara “Kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se,nëse në legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj rradhe, asaj i është lënë vendi ianëtarit dhe dy vende si zëvendësues. Atyre që shohin me kënaqësi sfidën e kredencialeve, u bëjmë të ditur se proçedurialisht është shfrytëzuar e drejta e rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe rregulloren dhe mandatet e deputetëve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e KE-së, janë krejtësisht legjitime”- thuhet në deklaratën e Kuvendit.(m.a/BalkanWeb)