PS: Asambleja KE, leksione demokracisë shqiptare
TIRANë- Pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të pezulluar të drejtën e votës të delegacionit shqiptar, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Socialiste. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur pasditen e sotme deputetja socialiste Arta Dade ka akuzuar përsëri Jozefina Topallin, duke u shprehur se kryeparlamentarja “ ka marrë disa herë vendime inatcore”, vendime këto që sipas Dades kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Gjatë fjalës së saj Arta Dade u shpreh se pezullimi i të drejtës së votës për delegacionin shqiptar erdhi pasi ai nuk përmbush kriteret. “Delegacioni i përzgjedhur nga Jozefina Topalli nuk përmbush kriteret europiane, prandaj edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi pezullimin e të drejtës së votës për delegacionin shqiptar”- u shpreh Dade. Deputetja e Partisë Socialiste ka deklaruar se opozita do të vazhdojë protestat e saj. Sipas Dades, "Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë. Përkundrazi ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj. Topalli mëse njëherë e ka kryer këtë detyrë më së miri dukë dëmtuar imazhin e vendit. Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Konstatimi sipas medias se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Europës është një mësim tjetër që mazhoranca duhet ta marrë. Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave europiane që shqiptarët aspirojnë. Gjithashtu ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës"– përfundon Dade.(m.a/BalkanWeb)