E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi: Pretendimet e PS, të pabaza. Bushati: Papjekuri e mazhorancës

Replikat
Përplasje mes Partisë Socialiste dhe zyrtarëve të Kuvendit pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së

Vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës solli reagimin e faktorit politik në Tiranë. Teksa socialistët deklaruan se iu dha një leksion Kuvendit të Shqipërisë për një procedurë joligjore, zëdhënësja e Topallit akuzoi opozitën se ka bërë një kërkesë false dhe të pabazë.
Kuvendi
Zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, deklaroi dje se kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Europës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit. “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste, në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës, ka pasur vetëm një anëtar dhe ky, është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës”, u shpreh Ruseti. Ajo shtoi se, nga Asambleja e KE-së, zoti Islami është reporter për Gjeorgjinë. “Lidhur me këtë, nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt. Kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se, nëse në Legjislaturën e kaluar, Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj radhe, asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues”, u shpreh Ruseti. Sipas saj, atyre që shohin me kënaqësi sfidën e kredencialeve, u bëjmë të ditur se proceduralisht është shfrytëzuar e drejta e Rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. “Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe rregulloren, dhe mandatet e deputetëve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e KE-së janë krejtësisht legjitime”, theksoi Ruseti.
Socialistët
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, deklaroi dje se paraqitja e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ishte provokativ, ndaj e konsideroi të drejtë vendimin për pezullimin e votës së Shqipërisë. “Mazhoranca u nis për të vendosur vetulla, por në fakt nxori sytë para të gjithë opinionit ndërkombëtar”, deklaroi deputeti socialist. Bushati konsideroi se vendimi i Asamblesë Parlamentare të KiE është për t’u përshëndetur, pasi synon të vërë në vend një padrejtësi të orkestruar nga mazhoranca, e cila në mënyrë arbitrare, ka “rrëmbyer” përfaqësimin e opozitës në këtë forum të rëndësishëm, duke demonstruar në mënyrë profane mungesën e pjekurisë politike që duhet të karakterizojë mazhorancën qeverisëse të një vendi anëtar të Këshillit të Europës, sikurse është Shqipëria. “Rregullat procedurale të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, tha ai, janë shumë të qarta në kërkesën që çdo Parlament kombëtar përfaqësohet politikisht në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në mënyrë të balancuar”. Duke vënë në dukje se Shqipëria ka katër vende nga të cilat dy i përkasin mazhorancës dhe dy opozitës, Bushati theksoi se ky rregull është respektuar edhe në legjislaturën e kaluar 2005-2009 e jo më tani kur diferenca mes blloqeve politike në Parlament është ngushtuar ndjeshëm.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›